E Shtunë, 31 Tetor 2026

Imunitetet, deputeti hetohet automatikisht

Mazhoranca dhe opozita duket se janë drejt kompromisit për të marrë miratimin e ligjit për kufizimin e imunitetit të deputetëve dhe të drejtuesve të institucioneve kushtetuese. Pas një seance dëgjimore me përfaqësues të shoqërisë civile, deputeti i PS-së, Ylli Bufi, ka zbuluar piketat e para që po hidhen nga dy partitë politike për kufizimin e imunitetit. Bufi u shpreh se është rënë parimisht dakord që, nëse një deputet procedohet penalisht, çështja mund të hetohet ndaj tij, pavarësisht se Kuvendi nuk ka vendosur t‘i heqë imunitetin. "Ndaj deputetit mund të fillojë procedimi penal pa autorizimin e Kuvendit, por ai vazhdon të jetë deputet, apo ministër, deri në një vendim të formës së prerë nga gjykata, po liritë personale të tij nuk preken, nuk arrestohet, nuk përgjohet, nuk kontrollohet dhe në këtë moment kërkohet autorizimi nga Kuvendi", është shprehur Bufi. Nënkryetari i Kuvendit shtoi se ajo që ndryshon është e qartë, prokuroria fillon direkt procedimin penal ndaj një deputeti, pa qenë nevoja si deri tani që Kuvendi të miratojë heqjen e imunitetit, si hapi i parë për fillimin e procedimit penal. Sipas Bufit, kjo hallkë shkëputet dhe prokuroria nuk gjen më barriera politike për nisjen e hetimit ndaj një deputeti apo një gjykatësi. Kuvendit i kërkohet miratimi, vetëm kur i zgjedhuri shpallet fajtor nga gjykata me vendim të formës së prerë. Roli i Kuvendit në një rast të tillë është formal, për Bufin, pasi nuk mund të ndodhë që dikush dënohet nga gjykata dhe Kuvendi ta mbrojë me shumicë votash. Por ky do të jetë vetëm hapi i parë i disa ndryshimeve, sipas deputetit socialist.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›