E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koshtunica: Zgjidhja për Kosovën sipas Kushtetutës serbe

BEOGRAD- Kryetari i Partisë Demokratike të Serbisë, Vojislav Koshtunica, ka thënë se qeveria e Serbisë duhet t’ia bëjë me dije Brukselit se asnjë vend në Evropë nuk e ka tregtuar territorin e saj e këtë nuk mund ta bëjë as Serbia. Ai ka thënë edhe se zgjidhja për Kosovën duhet të arrihet patjetër vetëm në kuadër të Kushtetutës së Serbisë, raporton Radio Europa e Lirë.

Duke folur në komitetin kryesor të kësaj partie, Koshtunica ka thënë: “Nuk kemi nevojë të na japin asgjë, asgjë nuk duhet as të na marrin. Kosova na takon neve, sepse ajo është e jona, BE-së i takon ajo që ka. Duket se Kosova është më e rëndësishme për BE-në se sa për qeverinë e Serbisë. Më shumë kujdeset Brukseli që të na marrë Kosovën se sa qeveria jonë ta mbrojë atë”, ka thënë Koshtunica.

Gjatë këtij takimi të trupit kryesor të partisë së Koshtunicës, ish kryeministri serb e ka akuzuar qeverinë në Beograd se nuk ka realizuar asnjë premtim të bërë deri më tani.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›