Kosor dënon dhunën në Zagreb

Zgjedhjet parlamentare në Kroaci janë parashikuar për në fund të këtij viti ose në fillim të vitit të ardhshëm dhe për këtë merr vendim shumica qeveritare, çka do të thotë se vendimi nuk miratohet në rrugë, deklaroi kryeministrja e Kroacisë, Jadranka Kosor duke komentuar protestat antiqeveritare që po zhvillohen në vendin e saj.
Ajo theksoi se qeveria e saj do të japë llogari, ndërsa qytetarët do të vendosin në zgjedhjet e ardhshme se kush do ta drejtojë vendin. "Çdokush ka të drejtë të protestojë, por nevojitet që puna e vështirë për anëtarësimin e vendit në BE të përfundojë me sukses.
Protestat janë legjitime, por dhuna është e papranueshme", deklaroi Kosor.
Tridhjetë e tre persona u lënduan dhe më tepër se 50 të tjerë u arrestuan, gjatë përleshjeve mes policisë dhe qindra manifestuesve në Zagreb, në fund të shkurtit, në një protestë ku u kërkua edhe dorëheqja e kryeministres, Jadranka Kosor.