Rezoluta për bisedimet ne Kosovë
Një ditë para se të nisin takimet e palës kosovare me atë serbe në Bruksel, Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancë, nga e cila mund të dale një rezolutë për bisedimet. Ndërkohë, Vetëvendosje vë kushte për bisedimet dhe paralajmëron demonstrata kundër tyre. Brukseli zyrtar ka konfirmuar se më 8 mars do të takohen shefat e grupeve të ekipeve negociatore të Prishtinës dhe Beogradit, hap ky që duket se shënon fillimin e dialogut. Grupet parlamentare të Kuvendit janë pajtuar që për dialogun të diskutohet së pari në Kuvend dhe kjo është vendosur të bëhet të hënën, më 7 mars. Nuk dihet se sa do të ketë unitet për këtë dokument, meqë Lëvizja Vetëvendosje, si forca e tretë në Kuvend, tashmë ka bërë të qartë se është kundër negociatave dhe se do të përpiqet që këtë qëndrim ta përfshije edhe në rezolutë. Dialogu, për të cilin Prishtina insiston se do të jetë teknik, sipas Lëvizjes Vetëvendosje, do të jetë politik dhe si të tillë, ata kanë bërë të ditur se do ta kundërshtojnë edhe përmes demonstratave.
Shpërndaje