E Diel, 1 Nëntor 2026

Shërbimi i Provës, Alibeaj: Pjesë e hallkës së drejtësisë

Tashmë gjyqtarët dhe prokurorët kanë në dispozicion terrenin e duhur ligjor dhe strukturat e përshtatshme ekzekutive për dhënien e drejtësisë penale në orientim me dënimet alternative, si masë dënimi që funksionon sukseshëm për riedukimin dhe riintegrimin e individit. Shërbimi i Provës, që po mbikëqyr zbatimin e 257 urdhrave për ekzekutimin e dënimeve alternative, ka si mision edhe parandalimin e kryerjes së veprave penale, duke asistuar të dënuarin në përmbushjen e dënimit alternativ dhe kapërcimin e vështirësive të tij në riintegrimin shoqëror.

Duke e konsideruar funksionimin e Shërbimit të Provës si një sukses të padiskutueshëm të reformës në drejtësi, Ministri i Drejtësisë, Enkelej Alibeaj, u shpreh sot në tryezën e rrumbullakët me temë "Efektet e Shërbimit të Provës në zbatimin e drejtësisë penale", se ky organ përbën vendosjen e hallkës së munguar në zinxhirin e institucioneve të sistemit të drejtësisë penale në Shqipëri.

“Tashmë pranohen gjerësisht avantazhet e drejtësisë restauruese dhe të dënimeve alternative si thjeshtëzuese të procedimit gjyqësor, normalizuese të marrëdhënieve shkelës i ligjit –i dëmtuar-shoqëri dhe reduktuese të kostove për mbajtjen e sistemit penitenciar”, tha Alibeaj, duke sqaruar veprimtarinë e Shërbimit të Provës.

Aktualisht në burgje ndodhen 5000 persona të burgosur, në 20 institucione të shpërndara në të gjithë vendin. Ngritja e Shërbimit të Provës në kuadër të zbatimit të reformës së dënimeve alternative është mbështetur nga partnerët ndërkombëtarë, EURALIUS, OSBE dhe UNICEF. 

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›