E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosova: Do kthejmë policinë në Veri, Serbia: E rrezikshme

Katër zyrtarë të lartë të qeverisë së Kosovës drejt arrestimit për korrupsion.

Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar përsëritjen e një aksioni policor si ai i 25 korrikut në Veri, për të vendosur rendin në këtë zonë të Kosovës. Tensioni në këtë zonë është rritur që pas vrasjes së 38-vjeçarit shqiptar në Mitrovicë dhe plagosjes së gruas dhe katër fëmijëve të tij me eksplozivin e vendosur në shtëpi. Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, tha për RTK se këto veprime do të jenë të detyrueshme për të vënë në zbatim rendin dhe ligjin në atë pjesë të Kosovës. Kjo deklaratë ka marrë reagimin e menjëhershëm të Beogradit. Sekretari shtetëror në Ministrinë serbe për Kosovën, Oliver Ivanoviç, ka deklaruar se një aksion i tillë i Policisë kosovare në Veri do të ishte një aventurë e rrezikshme. Veriu i Kosovës është një problem politik, i cili nuk mund të zgjidhet me dhunë, sepse në këtë rast do të nxiste një reagim të dhunshëm, të cilin askush nuk do të mund ta qetësonte, tha Ivanoviç. Ndërkohë dje në Kuvendin e  Kosovës Lëvizja Vetëvendosje ka organizuar një protestë gjatë një seance. Deputetët Glauk Konjufca dhe Visar Ymeri kanë hapur një parullë të madhe me emrat e Selver Haradinajt dhe Enver Zymberatj, që u vranë në Veri të Kosovës nga strukturat serbe. Pasi kanë mbajtur pak minuta heshtje, ata kanë akuzuar qeverinë për pasivitet ndaj kësaj emergjence. Kryetari i Parlamentit, Jakup Krasniqi, ka ndërprerë seancën dhe ka thirrur në mbledhje grupet parlamentare. Telashet në politikën e Kosovës nuk mbarojnë me kaq. Mediat kanë paralajmëruar arrestimin e katër zyrtarëve të lartë të vendit, mes të cilëve një zv.kryeministër. Emrat e tyre nuk janë bërë ende publik, por nën hetim kanë qenë Astrit Haraçija dhe Bujar Bukoshi. Mandatet po përgatiten pas deklaratës së ambasadorit amerikan, Dell, se ka disa në qeverinë e Kosovës që nuk duan ta luftojnë korrupsionin.

Limaj në Kuvend
Deputeti i PDK-së, Fatmir Limaj, u kthye në Kuvend pas gjashtë muajsh mungese, periudhë që ishte në arrest shtëpie, dhe menjëherë e ka shpëtuar koalicionin qeveritar me pjesëmarrjen dhe votimin e ligjit për bankat e institucionet mikrofinanciare. Prezenca e Limajt në seancë ka bërë që Kuvendi të ketë kuorum për të votuar ligjin, pasi opozita iku nga salla. Limaj, nënkryetari i PDK-së, i ka dhënë përkrahje edhe nismës së Lëvizjes Vetëvendosje për të mbajtur një seancë të jashtëzakonshme për situatën në Veri.

Thaçi takon Bill Klinton
Kryeministri Hashim Thaçi u prit nga ish-presidenti i SHBA-së, Bill Klinton. Kryeministria e Kosovës njoftoi se Presidenti Klinton përgëzoi Kryeministrin Thaçi për arritjet e Kosovës. Thaçi, në emër të qytetarëve të Kosovës dhe qeverisë, e falënderoi Presidentin Klinton për rolin e tij vendimtar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Klinton tha se ndihet krenar që në momentin e duhur ka marrë vendimet e duhura për ti dhënë fund luftës në Bosnjë dhe në Kosovë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›