E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Kosova Kid" kundër Clinton Woods

Elvir Muriqi ka gjasa që të përballet me një tjetër kundërshtar të fortë në shtator të këtij viti.
Lajmin e ka bërë të ditur e përditshmja britanike "The Star" që në numrin e saj të ditës së premte shkruan se boksieri britanik Clinton Woods do të rikthehet në ring në muajin shtator dhe për kundërshtar është përmendur emri boksierit shqiptar që në ringun profesionist njihet me nofkën "Kosova Kid".
"Unë dua që të rikthej titullin tim", ka thënë Woods për "The Star". "Kam dëgjuar për emrin e Muriqit të jetë përmendur si kundërshtar i mundshëm, por gjithsesi unë do të jem i gatshëm për këdo" ka shtuar ai.

36-vjecari Clinton Woods është një ndër emrat e mëdhenj të ringut profesionist dhe ndër më të mirët në kategorinë gjysmë të rëndë. Ai ka mbajtur për mëse tre vite brezin e kampionit të botës në versionin IBF.
Tani Woods synon që të rikthejë titullin dhe për këtë duhet të shënojë fitore përballë kundërshtarëve të fortë, dhe Elvir Muriqi padyshim që është i tillë pasi që renditet në mesin e 15 më të mirëve në tri federatat kryesore të ringut profesionist (i 12-ti në WBC, i 14-ti në WBA dhe WBO). Në anën tjetër Woods renditet i 4-ti në IBF dhe i 10-ti në WBO. Për boksierin shqiptar kjo do të jetë mundësi e mirë për të ngjitur edhe më lart shkallët e renditjeve botërore dhe për t'u afruar edhe më tepër me titullin e kampionit të botës.
Clinton Woods është mposhtur nga amerikani Antonio Tarver në ndeshjen e tij të fundit të zhvilluar në prill të këtij viti në Shtetet e Bashkuara. Tarver kishte fituar duelin me vendim unanim të gjyqtarëve 119-109, 117-111, 116-112.
Kundër të njejtit kundërshtar (Antonio Tarver) Elvir Muriqi kishte bërë një paraqitje shumë më mbresëlënëse në qershor të vitit të kaluar.
Tarver ishte shpallur fitues ndaj Muriqit me vendim jounanim të gjyqtarëve dhe me rezultat të ngushtë (116-112, 115-113, 114-114), por fitorja e Tarverit në këtë përballje ishte kontestuar mjaft jo vetëm nga kampi i Elvir Muriqit po edhe nga shumë media dhe analistë amerikanë.
Pas këtij dueli boksieri shqiptar ka zhvilluar edhe një ndeshje tjetër kundër Jameel Wilson, të cilën e kishte fituar me nokaut teknik në rundin e katërt.

www.boxalb.com

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›