Tirana: 75 000 euro për Slishkoviçin

Bledar KUKA - Bllazh Slishkovici do të përfitojë 75 000 euro si trajner i Tiranës në sezonin 2008-2009. Këtë e pohuan dje burime fare pranë presidentit bardheblu, Refik Halili, që shtuan se boshnjaku me prejardhje kroate i depozitoi menjëherë 25 000 euro në bankën përballë vilës "Goldi", ku ka selinë Halili. "Kontrata parashikon 75 000 euro në sezon, - u shpreh burimi, - nga të cilat 25 000 u dhanë në dorë. Këto para, Slishkovici i depozitoi menjëherë tek një bankë që ndodhet përballë vilës "Goldi" dhe pastaj u kthye në Kroaci". "Baka" banon në Split dhe u përcoll nga dy të besuar të presidentit Halili deri në kufirin malazezo-kroat përtej Herceg Novit.
Sipas medias shqiptare, trajnerit të ri i është premtuar se mund të marrë me vete disa lojtarë kroatë dhe do të kthehet për të marrë detyrën më 3 korrik. "Më në fund e zgjodhëm trajnerin tonë, - u shpreh Halili për gazetarët, - pasi kaluam një periudhë të vështirë e të pazakontë, aq sa edhe tifozët tanë u mërzitën". Ai e quan ardhjen e Slishkovicit si vendimin më të rëndësishëm për sezonin e ri, ndërsa tani pritet ardhja e lojtarëve.
Bledar Devolli mund të jetë përforcimi i ri, pasi mesfushori u largua nga Partizani, ndërsa ëndrra është sulmuesi Pero Pejic që mbetet ende për të vendosur. Atë e synon sërish edhe Dinamo, por sipas vetë sulmuesit ka edhe oferta nga kampionate të tjerë. Gjithashtu, nuk dihet e ardhmja e Erbim Fagut që do të provohet në një skuadër greke të kategorisë së parë, por drejtuesit e Tiranës janë të qetë: "Tek ne kanë ardhur të gjithë lojtarët më të mirë të Superiores, vecse i kemi lënë të presin derisa të zgjidhnim trajnerin".
Malazezët: Prit ta shikojmë një herë Slishkovicin
Në pikën doganore të Malit të Zi me Shqipërinë, në Murriqan, doganierët malazezë mbetën të habitur kur lexuan pasaportën me emrin e Blazh Slishkovicit. Sic duket ata e mbanin mend ish-lojtarin e shquar të Hajdukut dhe Jugosllavisë, ndaj edhe kërkuan që "Baka" të zbriste nga makina për ta takuar "për së gjalli". Një gjë që të kujton kalimin në Han të Hotit nga ana e Flamurtarit të Vlorës më 1987 pasi eliminoi Partizanin e Beogradit dhe doganierët jugosllavë kërkuan që vlonjatët të dilnin nga autobusi që ata të shikonin futbollistët që kishin eliminuar Partizanin.