Kosova: Serbia të kërkojë falje për krimet
Kosova i propozon Serbisë që të kërkojë falje për krimet që i ka bërë në këtë vend para njëmbëdhjetë vjetësh, në luftën e viteve 1998-‘99. Një reaksion i tillë kosovar ka ardhur si përgjigje ndaj skenarit shtetëror serb, që përmes një deklarate të dënojë krimet, të cilat, sipas këtij vendi, janë bërë kundër serbëve gjatë viteve nëntëdhjetë në territorin e dikurshëm të ish-Jugosllavisë, e cila pritet të nxirret nga Kuvendi i Serbisë gjatë sesionit pranveror të zhvillimit të punimeve. “Kuvendi serb shumë rreptë dënon krimet e kryera mbi shtetasit e tij dhe të gjithë pjesëtarëve të popullit serb gjatë konflikteve në Kroaci, Bosnjë-Hercegovinë dhe në Kosovë e Metohi”, është shkruar në variantin e parë të projektdeklaratës për dënimin e krimeve mbi serbët, e cila është hartuar nga vetë kryeparlamentarja serbe, Slavica Gjukiç-Dejanoviç, kanë raportuar mediat serbe. Të martën e javës së shkuar Kuvendi i Serbisë ka miratuar një deklaratë tjetër, përmes së cilës dënoi masakrimin e më shumë se tetë mijë djemve dhe burrave myslimanë boshnjakë të Srebrenicës.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, duke kërkuar që Serbia t’i kërkojë falje Kosovës për ato që ka bërë në këtë vend para njëmbëdhjetë vjetësh, ka thënë të dielën për gazetën që shteti serb ka qenë vetë prodhuesi i dhunës në ish-Jugosllavi dhe në veçanti në Kosovë. “Serbia duhet të pendohet që së paku një gjë e tillë të kuptohet si ndjenjë e fajësisë së tyre dhe e mospërsëritjes së krimeve që i ka bërë në Kosovë”, ka thënë numri dy i qeverisë së Kosovës. “Mentaliteti i politikës serbe për Kosovën fatkeqësisht ka mbetur i njëjtë me atë të viteve të nëntëdhjeta. Ndryshimi i vetëm qëndron në dallimin e mjeteve të përdoruara sot dhe atëbotë. Serbia sot nuk mund t’i përdorë mjetet e dhunës, të cilat i përdorte dikur”. Kuçi ka përsëritur se politika aktuale e Serbisë duhet të ndryshojë dhe madje duke filluar nga kërkimi i faljes për gjenocidin shtetëror serb në Kosovë. Në Presidencën e Kosovës janë shprehur që një kërkim falje e fqinjit verior do të shkaktonte relaksim marrëdhëniesh midis Kosovës dhe Serbisë si shtete. Këshilltari për media i Presidentit të Kosovës, Xhavit Beqiri, ka thënë se shqiptarët e Kosovës gjatë luftës së viteve 1998-‘99 kanë bërë luftë mbrojtëse.
“Kanë qenë të shtrënguar të luftojnë pa dëshirën e tyre, sepse kanë qenë të kërcënuar madje edhe me gjenocid”, ka theksuar ai. “Ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999 ka ndodhur fund e krye për arsye humanitare që të shpëtohet një popull nga kërcënimi prej shfarosjes fizike”. Beqiri ka thënë se Presidenti Sejdiu shumë herë e ka përsëritur se Prishtina zyrtare është e përcaktuar për të ecur përpara në aspektin e marrëdhënieve të vendeve dhe kombeve në këtë pjesë të Europës, mirëpo pa e harruar asnjëherë se çfarë ka ndodhur në të kaluarën. “Shqiptarët e Kosovës, por edhe qytetarët e tjerë të saj, nuk mund ta harrojnë kurrë tragjedinë që kanë përjetuar”, ka thënë ai. “Jo vetëm në luftën e fundit, në vitet 1998-‘99, por fatkeqësisht gjatë gjithë shekullit të kaluar”. Edhe Mehmet Hajrizi, këshilltar politik i Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, është shprehur se kërkimfalja do të duhej të ishte minimumi që Serbia do të duhej të bënte për ato veprime që ka kryer në Kosovë.
Nuk dihet saktësisht se sa viktima dhe dëme të tjera la pas vetes lufta në Kosovë e viteve 1998-‘99. Llogaritet që jetën e kanë humbur përafërsisht 12 mijë njerëz, nga të cilët 90 për qind me përkatësi etnike shqiptare. Edhe njëmbëdhjetë vjet pas luftës në Kosovë ekzistojnë edhe 1 mijë e 907 persona të zhdukur, përfshi këtu edhe rreth 400 mbetje mortore, të cilat vazhdojnë të mbesin të paidentifikuara në morgun e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.
Iniciativa për të dalë me të dhëna për krimet e luftës në Kosovë kanë ndërmarrë Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Liritë e Njeriut dhe Fondi për të Drejtën Humanitare. Asnjëra nga të dy këta organizma deri tani nuk i ka finalizuar përpjekjet e tyre.
Të martën e javës që lamë pas Kuvendi i Serbisë miratoi një deklaratë tjetër, përmes së cilës dënoi masakrimin e më shumë se tetë mijë djemve dhe burrave myslimanë boshnjakë të Srebrenicës.
#