“Shqipëria ka plotësuar kushtet për heqjen e vizave - reformat demokratike, jetësore për afrimin me BE”

Kryeministri Sali Berisha pret në një takim kryeministrin estonez, Andrus Ansip. Estonia mbështet integrimin në BE
Kryeministri estonez, Andrus Ansip, garanton mbështetjen e vendit të tij, në rrugën e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Ansip e ka konfirmuar këtë dje, gjatë një takimi të zhvilluar në Tiranë me kryeministrin Sali Berisha. Shefi i qeverisë shqiptare, Berisha u shpreh se qeveria shqiptare do të bashkëpunojë ngushtë me qeverinë estoneze, në mënyrë që qytetarët shqiptarë të përfitojnë sa më shpejt nga reformat e suksesshme që qeveria estoneze ka ndërmarrë për modernizimin e Estonisë dhe integrimin e saj në Bashkimin Evropian.
Pas një takimit të zhvilluar “kokë më kokë” të dy kryeministrat dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp. Kryeministri Berisha, duke informuar mbi takimin tha se Estonia do të jetë një avokate e përpjekjeve dhe arritjeve të Shqipërisë në procesin e integrimit evropian. Berisha tha se ka marrë garanci të plota nga homologu estonez Ansip, për liberalizimin e shpejtë të vizave për qytetarët shqiptarë dhe integrimin e më gjërë në BE.
“Gjatë këtij takimi ne diskutuam mbi përpjekjet e Shqipërisë për integrimin në BE dhe heqjen e vizave. E informova kolegun tim për reformat e ndërmarra dhe konceptin tim që këto duhet të jenë procese të bazuara mbi performancën, si interesi më i mirë i qytetarëve shqiptarë. Kryeministri Ansip më garantoi se Estonia do të jetë një avokat i përpjekjeve dhe arritjeve të Shqipërisë në procesin e integrimit, sikundër qeveria e tij është plotësisht e gatshme, të na japë të gjithë ndihmën e mundshme në procesin e integrimit në BE, mbi bazën e eksperiencës së vet si dhe në procesin e heqjes e vizave. Unë dua t’i uroj edhe njëherë mirëseardhjen në këtë vizitë shumë të rëndësishme dhe ti siguroj se qeveria shqiptare do të punojë me përkushtim për intensifikimin e marrëdhënieve të gjithanshme me Estoninë, do të punojë ngushtë me qeverinë estoneze , në mënyrë që qytetarët shqiptarë të përfitojnë sa më shpejt nga reformat e suksesshme që qeveria juaj ka ndërmarrë për modernizimin e Estonisë dhe integrimin e saj në Bashkimin Evropian”, deklaroi kryeministri Berisha.
Ndërsa nga ana e tij, kryeministri estonez Ansip, u vlerësoi se Shqipëria ka plotësuar
reformat demokratike, të cilat lidhen me direkt me kriteret e Komisionit Evropian, për liberalizimin e vizave.
“Estonia mbështet Shqipërinë në heqjen e vizave dhe integrimin në Bashkimin Europian.
Liberalizimi i vizave është një fushë ku blloqet nuk janë të rëndësishme se sa mënyra e kryerjes së punës. E di që në Shqipëri keni bërë përpjekje të lavdërueshme për sa i përket plotësimit të disa kushteve si janë pasaportat biometrike, kartat e identitetit dhe me siguri që do arrini aty. Liberalizimi i vizave nuk do të bëhet nga mënyra se si do e bëjnë këtë punë vendet e tjera”, tha kryeministër estonez, Ansip.
Ai vlerësoi gjithashtu, progresin reformator të bërë nga qeveria “Berisha”, duke realizuar kështu kriteret kryesore të integrimit në Union.
Kryeministri shtoi se vendi i tij ka përvojë në përgatitjen për anëtarësim në Bashkimin Europian dhe këtë përvojë do ta ndajë me Shqipërinë.
“Ka rëndësi që të vë në dukje se Estonia është mbështetës i fortë i zgjerimit të mëtejshëm Bashkimit Evropian. Do të duhet pak kohë, por shpresoj që ne të jemi së bashku në BE. Siç përmendi kolegu im, Estonia mbështet liberalizimin e vizave për Shqipërinë. Mbaj mend sa e vështirë ishte për estonezët të shkonin në vendet fqinje, në Finlandë apo Britaninë e Madhe. Por, për të arritur deri këtu Estonisë iu desh të ndërmerrte disa reforma. Madje, reforma edhe më të mëdha iu desh të ndërmerrte për t’u futur në Bashkimin Evropian. Në Estoni këto reforma strukturore ne i realizuam me shpejtësi.
Gjithçka që bëmë ne në Estoni e bëmë për vete, nuk e bëmë për Brukselin. Mund të themi se të gjitha këto reforma strukturore që ne i realizuam në Estoni i bëmë për veten tonë. Ato ishin në të mirën tonë. Shqipëria ka bërë përpjekje të lavdërueshme gjatë 20 viteve të fundit. Por është e qartë që ne të gjithë duhet të vazhdojmë me ato reforma, me zhvillimet demokratike, ne në Estoni, ju në Shqipëri dhe sigurisht ne mund të mbështesim njëri tjetrin”, tha më tej, Ansip.
Më tej, të dy kryeministrat u shprehën të gatshëm edhe për të intensifikuar bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve.
“Po ashtu ramë dakord që të firmosen të gjitha marrëveshjet e domosdoshme për bashkëpunimin ekonomik, për investimet estoneze në Shqipëri dhe inkurajimin e tyre”, tha kryeministri Berisha.
Ndërsa, kryeministri estonez Ansip tha se marrëdhëniet Shqipëri-Estoni janë shumë të mira, duke qenë se janë anëtare të NATO-s.
“Por duhen përmirësime në sektorin e biznesit. Ne kemi të zhvilluar teknologjinë e informacionit dhe pres të kemi bashkëpunim të frytshëm me sipërmarrësve tanë në këtë sektor”, tha ai.
Marrëveshja, Shqipëria dhe Estonia firmosin heqjen e taksimit të dyfishtë
Shqipëria dhe Estonia nënshkruan dje marrëveshjen dy paleshe, për heqjen e taksimit të
dhe parandalimin e evazionit fiskal, në lidhje me tatimin mbi të ardhurat. Kjo marrëveshje, e nënshkruar nga kryeministri Sali Berisha dhe ai estonez Andrus Ansip, përbën një vullnet të qartë të të dy qeverive, për të intensifikuar marrëdhëniet, në të gjitha fushat.
“Marrëdhëniet politike midis dy vendeve janë të shkëlqyera dhe këto marrëdhënie krijojnë një hapësirë të madhe për zhvillimin intensiv të marrëdhënieve ekonomike, kulturore, ushtarake dhe të gjithanshme”, tha kryeministri Berisha, duke shtuar se “me kryeministrin Ansip ramë dakord për firmosjen e të gjitha marrëveshjeve të domosdoshme, të cilat krijojnë kuadrin më të mirë ligjor për bashkëpunim ekonomik, për investimet estoneze në Shqipëri dhe inkurajimin e tyre. “Estonia është një shembull suksesi, në zhvillimin e saj të shpejtë dhe integrimin në Bashkimin Evropian. Estonia ka shkallën e penetrimit më të lartë të IT në shoqërinë e saj, më të lartë se çdo vend tjetër. Estonia ia ka dalë të krijojë një klimë biznesi, ndër më të favorshmet në Evropë. Shqipëria është thellësisht e interesuar të ketë mbështetjen e këtij vendi në përpjekjen e qeverisë për realizimin e projektit “ Shqipëria digjitale”, deklaroi më tej, Berisha.
Kryeministri flet për mundësinë e votimit elektronik
“Praktikë që duhet shqyrtuar, sistemi është faktuar si ndër më transparentët”
Nisur nga eksperienca estoneze e votimi elektronik, kryeministri Berisha shprehet ‘pro’ këtij projekti, por shton se duhet një koordinim i punës ndërmjet mazhorancës dhe opozitës, për të përcaktuar procedurat më të mira. Sipas kryeministrit, votimi elektronik është sistemi më transparent në botë.
“Unë jam plotësisht në favor të tij. Ajo çka unë do të propozoja është që anëtarë të komisionit të reformës zgjedhore, nga qeveria dhe nga opozita të bëjnë një vizitë në Estoni dhe të shohin të gjithë praktikën që është përdorur nga ky vend për zgjedhje elektronike. Unë personalisht kam besim të plotë, nuk kam as më të voglin dyshim, se thashethemet dhe frika në zgjedhje ndaj sistemeve elektronike, janë provuar tërësisht të pabazuara. E vërteta është se këto sisteme po përdoren gjithnjë e më shumë dhe janë sistemet më transparente. Ne jemi të gatshëm që së bashku me opozitën të përcaktojmë procedurat më të mira, më transparente”, tha kryeministri Berisha.
Kryeministri flet për qëndrimin e opozitës
“Transparenca e zgjedhjeve vlen vetëm për çështje që nuk u përkasin gjykatave”
Gjatë konferencës për shtyp me homologun e tij estonez, kryeministri Sali Berisha është ndalur edhe tek situata politike në vend, duke theksuar se komisioni hetimor dhe transparenca e zgjedhjeve, nuk mund të dalë mbi vendimet e gjykatave. Shefi i ekzekutivit përsëriti edhe njëherë ftesën për bashkëpunim drejtuar opozitës, por shtoi se politika nuk mund të sfidojë verdiktin e pandryshueshëm të trupës gjyqësore.
“Për sa i përket qëndrimit të opozitës unë mund të theksoj se vendimi i parlamentit për komisionin parlamentar, për transparencë të plotë për çdo gjë tjetër përveç çështjeve, për të cilat ka vendime gjykatash, është i parefuzueshëm për të gjithë ata që dëshirojnë transparencë”, tha kryeministri Berisha.
Për sa i takon protestave, Berisha tha se “ato janë një e drejtë e patjetërsueshme e opozitës dhe mbarë qytetarëve të një vendi të lirë, e garantuar me Kushtetutë, me të gjitha rregullat”.