E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova, Spanjandërmjetëson përrezolutën serbe

BRUKSEL- Në kryeqytetin belg vazhdojnë bisedimet ndërmjet BE-së dhe Beogradit për ndryshimin e rezolutës serbe për Kosovën në prag të mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

“Bisedimet në Bruksel, që thuhet se po zhvillohen intensivisht, tani janë ndërmjetësuar nga Spanja, një nga pesë vendet anëtare të BE-së, që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës”.- bën të ditur sot BBC-së në shqip në faqen e saj online.

Bisedimet janë përqëndruar në ndryshimin e qëndrimeve të Beogradit zyrtar ndaj mendimit të GJND-së dhe në veçanti bisedave me Prishtinën.

Zyrtarë të BE-së thonë se zgjidhja më e mirë do të ishte tërheqja e plotë e rezolutës serbe, por kanë shfaqur shpresën për arritjen e një kompromisi me qeverinë serbe.

Një presion diplomatik është bërë mbi Beogradin në javën e fundit, përmes ministrave të jashtëm të Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe, që i kanë bërë me dije Serbisë se rruga e saj drejt BE-së mund të vështirësohet në rast të mosarritjes së një zgjidhjeje me Brukselin për rezolutën.

Autoritetet serbe kanë bërë me dije se janë të gatshme për kompromis, por kanë këmbëngulur në qëndrimin e tyre se Rezoluta nuk mund të shkelë “vijat e kuqe” për Serbinë.

Gazeta serbe “politika” shkruan sot se Spanja ka hartuar variantin e saj për rezolutën, me të cilën do të zëvendësohej rezoluta aktuale.

“Qëndrimi spanjoll ndaj Kosovës thuhet se mund të ndikojë edhe në zbutjen e tekstit të rezolutës së re, që eventualisht mund të dakordohet me Beogradin zyrtar- vazhdon shkrimin BBC në shqip- Por vlerësohet se qëndrimi i një numri të madh të vendeve anëtare të BE-së dhe në veçanti i Uashingtonit i është bërë i njohur Beogradit zyrtar se bisedimet për statusin e Kosovës kanë përfunduar dhe se mendimi i GJND-së e ka përligjur pavarësinë e shtetit të ri."

Brukseli dhe Uashingtoni thonë se janë të gatshëm për të ndërmjetësuar dhe lehtësuar dialogun mes Prishtinës e Beogradit për çështjet e interesit të përbashkët në cilësinë e dy shteteve të Ballkanit Perëndimor, me qëllim të ruajtjes së stabilitetit në rajon.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›