E Shtunë, 31 Tetor 2026

Serbi, zbulohet një apartament ku jetonte Mlladiç



Autoritetet serbe zbuluan në Beograd një apartament që mendohet se përdorej nga i shumëkërkuari për krime lufte, Ratko Mladiç, njoftoi të mërkurën "Blic". E përditshmja serbe njoftoi gjithashtu se kasetat me bisedat e regjistruara nga Mlladici të zbuluara gjatë një kontrolli të shtëpisë së tij në Beograd, tregonin se ish-presidenti serb Slobodan Miloseviç i kishte kërkuar Mladiçit të bashkëpunonte me Gjykatën Penale Ndërkombëtare ose (TPI-në). Sipas të përditshmes, njëra nga bisedat telefonike të regjistruara nga Mlladiçi ka qenë me presidentin e atëhershëm të Malit të Zi, Momir Bulatoviç, i cili i transmetonte kërkesën e Miloseviçit për të dërguar në TPI zëvendësin e tij, Zdravko Tolimir. Bulatoviç, i kontaktuar nga e përditshmja, konfirmoi se ka biseduar disa herë me Mladiçin në vitin 1996, por shtoi se nuk mund t'i mbante mend këto biseda të veçanta lidhur me Tolimirin. Sipas mediave lokale, regjistrimet e Mladiçit, CD dhe kaseta, përmbajnë biseda të Mladiçit me Karadziçin, por edhe me presidentin jugosllav të asaj kohe, Sllobodan Miloseviç, shefin e Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë jugosllave Momcilo Perisiç dhe me shefin e zbulimit serb Jovica Stanisiç, në kohën kur ata ishin në detyrë. Ata të gjithë janë gjykuar ose janë nën gjykim, për rolin që kanë patur në konfliktet që shkatërruan ish-Jugosllavinë në vitet 1990 dhe sollën shpërbërjen e saj. Regjistrimet e Mladiçit u sollën si prova në procesin kundër Karadzicit që vazhdon në TPI, por nuk janë bërë publike nga gjykata.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›