E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova, ambjent i pasigurt për investitorët

Bien investimet e huaja

Raporti i Bankës Botërore e rradhit Kosovën në vendin e 172-të sa i përket mbrojtjes së investitorëve, nga 183 shtete gjithsej. Investimet e huaja kanë rënë për rreth 45 milionë euro gjatë 2009-ës
 
Mungesa e investimeve të huaja në Kosovë është e lidhur ngushtë edhe me mbrojtjen e investitorëve. Sipas raportit të fundit të Bankës Botërore, Kosova konsiderohet ende si një vend i pasigurt për investitorët. Vetëm 11 shtete të tjera janë më të pasigurta se Kosova, cilëson Banka Botërore. Ekspertë të çështjeve ekonomike thonë se vetë nivelet e ulëta të investimeve të huaja në Kosovë, gjatë viteve të fundit, tregojnë klimën e vështirë të biznesit që është në vend. Nënkryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, thotë se në Kosovë është përkeqësuar ndjeshëm klima për investime, ndërkaq në rënien e nivelit të investimeve të huaja, ka ndikuar edhe moszbatimi i ligjit, niveli i lartë i korrupsionit, niveli i lartë i ekonomisë joformale.“është më se e vërtetë që investimet, qoftë atë direkte, qoftë indirekte, në Kosovë kanë pësuar një rënie në vitin 2009. Argumentimet më të shpeshta institucionale janë si pasojë e krizës ekonomike. Mirëpo, duhet të kuptohet edhe realiteti se në Kosovë më shumë humbet kohë në kërkim të arsyes për dështim, sesa të krijohet një ambient që ky dështim mos të ndodhë dhe situata të përmirësohet”, thotë Gërxhaliu. Ndryshe, në tri vitet e fundit, investimet e huaja kanë pësuar rënie të vazhdueshme. Në vitin 2007, kur u fut operatori i dytë i telefonisë  së lëvizshme në Kosovë, investimet e huaja direkte në vend ishin 421 milionë euro. Në vitin 2008, këto investime u rritën deri në 355 milionë, ndërsa në vitin 2009 vetëm 310 milionë euro. Kryeshefi për promovimin e investimeve në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, Mustafë Hasani, thekson se rënia e investimeve është pasojë e krizës ekonomike globale. Megjithatë, ai shprehet optimist se investimet do të shënojnë ngritje gjatë vitit 2010.“Patjetër, që vendimi i qeverisë për privatizimet e mëdha, që do të ndodhin në vitin 2010, siç është privatizimi i Aeroportit, KEK-ut, PTK-së dhe dhënia me koncesion e 18 mini-hidrocentraleve të vogla do të ketë efektin e vet në ngritjen e investimeve në vitin 2010”, shpjegon Hasani. Për krijimin e një klime të favorshme për investitorët, ai thekson se Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka përgatitur edhe strategjinë për investime 2010-2012, që pritet të finalizohet gjatë këtij viti. Po ashtu, zyrtarë të kësaj ministrie janë duke shqyrtuar të gjitha rekomandimet e Bankës Botërore dhe gjatë këtij viti, do të fokusohen në promovimin e investimeve në vende konkrete, në sektorë potencialë dhe në kompani që vlerësohet se mund të investojnë në Kosovë. Në anën tjetër, eksperti i çështjeve ekonomike, Gërxhaliu, thekson se zyrtarët e Kosovës duhet t’i promovojnë vlerat dhe të fokusohen te diaspora kosovare, e cila ka potencial që mund ta investojë në vendin e vet. Sidoqoftë, zyrtarë të institucioneve thonë se investitorët e huaj në Kosovë mbrohen me ligj dhe për çdo dëm që i shkaktohet, kompensohet në përputhje me konventat ndërkombëtare për mbrojtjen e investitorëve.
 
 
Mungesa e ligjeve pengesë për drejtësinë kosovare
Ekspertët ligjorë në Prishtinë kritikojnë institucionet e Kosovës për vonesat në miratimin e një varg ligjesh që rregullojnë punën e institucioneve për sundimin eligjit në vend. Ata thonë se në aspektin afatgjatë, sundimi i ligjit në Kosovë do të vështirësohet, po qe se ka zvarritje të mëtejshme në avancimin dhe zbatimin e ligjeve të tilla. Ekspertët për çështje të drejtësisë në Kosovë thonë se moskezistimi i ligjeve, siç i quajnë ata, esenciale për funksionimin e sistemit të drejtësisë në vend, është pasojë e mungesës së vullnetit politik të institucioneve përgjegjëse. Ata theksojnë se institucionet shtetërore të Kosovës duhet të përshpejtojnë në miratimin e Ligjit për Gjykata, Ligjit për Këshillin Gjyqësor e atë Prokurorial, Ligjin për Mbrojtjen e Dëshmitarëve dhe të tjerë, përmes të cilëve mundësohet forcimi i mekanizmave për sundimin e ligjit. Eksperti Ismet Salihu thotë se mendon që mungesa e këtyre ligjeve po vë në pikëpyetje disa procese në zhvillim në fushën e sundimit të ligjit. “Ka filluar emërimi i gjyqtarëve. Së pari duhet të bëhet në Gjykatën Supreme, pastaj në gjykatat e qarqeve dhe të tjera. është dashur paraprakisht, para se të fillojë emërimi, të nxirret Ligji për Gjykatat dhe në bazë të ligjit, pastaj të emërohen edhe gjyqtarët”, shprehet Salihu. Nga mbi 100 ligje, të cilat deri më tani janë miratuar nga Kuvendi i Kosovës, vetëm pesë prej tyre i referohen drejtpërdrejt funksionimit të organeve të drejtësisë në Kosovë. Ndërsa, vazhdojnë të mungojnë ligjet që rregullojnë punën e gjykatave, të këshillave gjyqësorë e prokurorialë dhe të tjerë. Salihu kritikon legjislativin kosovar për vonesat në nxjerrjen e këtyre ligjeve. “Nxjerrja e këtyre ligjeve është diskutuar dhe është shtruar si nevojë emergjente për përgatitje edhe para dy apo tri viteve. Ka një vonesë të madhe”, thotë Salihu, duke theksuar edhe domosdoshmërinë e miratimit të Ligjit për mbrojtjen e dëshmitarëve në Kosovë. Për shkak të mungesës së këtij ligji, Kosova disa herë ka qenë në qendër të kritikave të organizatave vendore e ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut, Pajazit Nushi, vlerëson se mungesa e një ligji të tillë në Kosovë zbeh gatishmërinë e dëshmitarëve potencialë për krime të natyrave të ndryshme për të bashkëpunuar me institucionet e sundimit të ligjit. Nushi shpjegon problematikën që është krijuar për shkak të mungesës së këtij ligji: “Janë dëshmitarë të sferave të ndryshme, dëshmitarë të korrupsionit, dëshmitarë të vjedhjeve të ndryshme, dëshmitarë të ekzagjerimeve të ndryshme seksuale dhe të bartjes së qenieve njerëzore dhe të tjera”. “Prandaj, mungesa e vullnetit politik dhe mungesa e qartësisë e mban të aktualizuar gjithmonë nevojën e miratimit të një ligji për mbrojtjen e dëshmitarëve në Kosovë”, thekson Nushi. Edhe pse Qeveria e Kosovës e ka shpallur sundimin e ligjit si një ndër prioritetet për vitin 2010, në dyert e institucioneve për sundimin e ligjit vazhdojnë të trokasin kritika, si nga ekspertët vendorë, ashtu dhe nga diplomatët ndërkombëtarë.
 
 
 
Maqedonishtja në klasë të parë
Vendimi i ministrit Todorov shkon në gjykatë
 
Mësimi i maqedonishtes nga klasa e parë nga nxënësit shqiptarë vazhdon të jetë një mollë sherri e politikës së përditshme në Maqedoni. Ministri i Arsimit dhe Shkencës i Maqedonisë, Nikolla Todorov ka kërcënuar se do t`ia marrë kompetencat komunave, të cilat nuk respektojnë detyrimin për mësimin e gjuhës maqedonase nëpër shkollat shqipe dhe komunitetet e tjera jomaqedonase që nga klasa e parë. Ministri Todorov ka nënvizuar se vendimi është ligjor dhe nuk ka bazë për vlerësim të kushtetutshmërisë. Por organizata joqeveritare “Realiteti” nga Shkupi ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese iniciativën për vlerësim të kushtetutshmërisë së vendimit të ministrit të arsimit që fëmijët të cilët nuk i përkatësin etnitetit maqedonas, të detyrohen ta mësojnë maqedonishten nga klasa e parë. “Ky vendim thyen rëndë kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë në vend, veçanërisht nenin 8 të Kushtetutës ku thotë, dominimi i ligjshmërisë në shtet dhe ndarja e pushteteve do të thotë kemi përzierje këtu të ekzekutivit në pozicionin e ligjvënësit. Gjithashtu mendojmë se neni 51 i kushtetutës ku citoj çdokush është i obliguar të respektoj kushtetutën dhe ligjin paramendoni kur ballafaqohemi me një situatë ku vet ministri nuk e respekton ligjin sidomos atë për arsim fillor”, ka deklaruar kryetari i OJQ-së “Realiteti”, Valon Bela. Edhe organizata “Illyricum Libertas” është solidarizuar kundër vendimit të ministrisë së arsimit. “Qëndrimet e këtij ministri janë shoviniste, por ajo që do të kërkojmë është të bojkotohet mësimi. Ne do të takohemi me Këshillat e prindërve në ditët në vazhdim që të bëjmë këtë bojkot sa më të koordinuar. Si mjet i fundit i reagimit demokratik mbetet protesta e qetë kundër vendimit”, ka theksuar kryetari i “Illyricum Libertas”, Valon Kurtishi. Ky problem po ndiqet me kritika të forta edhe nga ana e sociologëve dhe pedagogëve. Prof.dr. Metush Sulejmani kundërshton në mënyrë shkencore vendimin e Ministrisë së Arsimit. ”Mësimi i kësaj gjuhe edhe në aspektin psiko-fizik, edhe në atë pedagogjik-didaktik nuk do të duhet të lejohet që nga klasa e parë sepse bëhet fjalë për një moshë tepër të re, kur ky nxënës akoma nuk e zotëron gjuhën e vet amtare dhe jo më gjuhët e huaja”, ka theksuar ligjëruesi universitar Metush Sulejmani. Me fillimin e gjysmë vjetorit të dytë, pritet a do të aplikohet ose jo mësimi i gjuhës maqedonase nga filloristët shqiptarë.
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›