E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrugë e gjatë deri te çmimet

Filmi i shumëpërfolur “Falja e gjakut” me skenar të Andamion Murataj dhe regji të Joshua Marston, nderohet edhe me një çmim. Çmimin e parë për skenarin më të mirë filmi shqiptar e mori në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Çikago.

“Falja e gjakut” po nderohet në çdo vend. Edhe Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Çikago, i cili konsiderohet një ndër festivalet më të rëndësishme dhe me i gjati festival konkurrues në Amerikë, e shpërbleu punën e skenaristëve të filmit shqiptar. Ky Festival ka filluar më 1964 si një alternativë ndaj kinemasë komerciale Hollivudiane. Ndërkohë, në vitin e 47-të të tij, ky festival është një nga eventet më të njohura të kinemasë botërore kushtuar diversitetit kulturor dhe kontributit pozitiv ndaj artit e filmit. Slogani i festivalit është: filmi na bashkon si asnjë formë tjetër popullore e artit: gjuhët mund të jenë të ndryshme por emocionet janë të njëjta.

Festivali ka një histori të pasur të zbulimeve të disa prej regjisorëve më të shquar në botë si Martin Skorceze, Vim Venders, Rainer Verner Fassbinder; Peter Weir; Mike Leigh, Alan Parker, Peter Greenaway; Krzysztof Kieslowski, Krzysztof Zanussi etj.

Ky festival njihet që shfaq filmat më të mirë në botë si dhe prezantime të talenteve të reja, duke prezantuar 150 filma nga 50 vende të botës.

Shqipëria ishte në konkurrim me filmin “Falja e gjakut” të skenaristit Andamion Murataj dhe në regji të Joshua Marston. Ndërkohë shumë vende në këtë festival përfaqësohen në konkurrim me filmat e tyre më të mirë dhe disa prej tyre përfaqësohen me filmat që i prezantojnë në çmimet Oscar.

Pas njoftimit për marrjen e çmimit, regjisori Marston tha se është shumë i kënaqur që morën çmimin për skenarin më të mirë, duke shtuar që shkrimi i skenarit, në shumë aspekte, ishte pjesa më shpërblyese dhe intensive e bërjes së filmit ‘Falja e Gjakut’. “Andamion Murataj dhe unë kaluam muaj duke udhëtuar nëpër pjesët veriore të Shqipërisë, duke intervistuar familje, të cilat po jetojnë në njëlloj arresti të vetëimponuar shtëpiak, ngase janë në gjak. Kjo madje në kohën kur po dërgojnë porosi me telefona celular dhe kur shohin kanalet televizive satelitore. Prandaj, pikë së pari dëshirojmë të falënderojmë të gjithë ata individë, të cilët na besuan rrëfimet dhe përvojat e tyre. Falënderoj edhe Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Çikago”, tha Marston.

Sipas tij, ky është një prej festivaleve të para, që shfaqi një prej filmave të tij më të hershëm të shkurtë. Prandaj për të ishte kënaqësi e dyfishtë të kthehet në këtë vend me filmin “Falja e Gjakut”.

Ndërsa skenaristi Andamion Murataj tha se rruga deri këtu ishte e gjatë. “Sot filmi shqiptar po kalon fazën e integrimeve të thella dhe filmat më shume se kurrë realizohen si bashkëpunime me kineastë që vijnë nga kultura të ndryshme dhe ky vërtet, megjithëse gjuhët që flasim janë të ndryshme emocionet mbeten të njëjtat. Joshua Marston është një nga këta regjisore që tejkalojnë barrierat kulturore apo gjuhësore dhe shumëkush në Shqipëri i është mirënjohës për ketë film”, u shpreh Murataj.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›