Kosova dhe Izraeli të bashkëpunojnë në kulturë
Ministri i Kulturës,Memli Krasniqi, priti të hënën përfaqësuesin e komunitetit hebraik të Londrës, rabinin Leibish Heller.
Në takimin me Heller ministri foli për raportet historike mes hebrenjve dhe shqiptarëve, duke vënë në pah faktin se shqiptarët janë ndër popujt e rrallë në botë që nuk shpërfaqën antisemitizmin, si dhe apostrofoi hapësirat e mundshme të bashkëpunimit në rrafshin e kulturës, turizmit kulturor dhe trashëgimisë kulturore.
Rabini Heller, ndërkaq theksoi se hebrenjtë kanë konsideratë të veçantë për popullin shqiptar. Helel po ashtu tha se shpreson që Izraeli shumë shpejtë do të njoh shtetin e Kosovës, pasi edhe Izraeli ka kaluar nëpër faza të vështira të shtetndërtimit. Rabini londinez u shpreh i impresionuar me mundësitë investim në Kosovë, dhe shtoi se pjesë e interesimit të biznesmenëve nga Izraeli mund të jetë edhe turizmi malor dhe kulturor.
Ministri Krasniqi shprehu gatishmërinë për t’u angazhuar maksimalisht që të ketë sa më shumë investitorë, sidomos në turizmin kulturor, derisa shfaqi nevojën edhe për më shumë bashkëpunim në rrafshin e kulturës mes Izraelit dhe Kosovës.