Bosnja do veç fitore

Përfaqësuesja e Bosnjës dhe Hercegovinës i ka bërë të gjitha përgatitjet për ndeshjen e së martës ndaj Kombëtares shqiptare, e cila është shumë e rëndësishme për të dy skuadrat që po synojnë kualifikimin në Euro 2012.
Pas humbjes turpëruese në Bukuresht nga Rumania (3:0), përfaqësuesja boshnjake synim të vetëm përballë kuqezinjve ka fitoren, pasi vetëm me tri pikë mund t’i mbajë gjallë shpresat për vendin e dytë në Grupin D.
Selektori i përfaqësueses boshnjake, Safet Susic ka paralajmëruar se do të luajë lojë ofensive me dy sulmues. Ish-trajneri i ekipeve turke, Ankaragucu, Rizespor, Ankaraspor dhe Istanbulspor ka kërkuar nga tifozët që të kenë durim.
“Do të më duhet ta nxjerr ekipin më të mirë, pavarësisht hidhërimit tim në disa futbollistë, pasi më nevojitet një përbërje që është në gjendje ta mposhtë Shqipërinë”, ka thënë Susiç, në konferencën për media të mbajtur të hënën.
Sipas tij, Bosnja ende ka shanse për të dalë e dyta në grup, prandaj edhe i duhet vetëm fitorja në përballje me Kombëtaren shqiptare.
”Do të ishte e pakuptimtë të nisim ndeshjen me ekipin e njëjtë sikurse në Bukuresht. Do të ketë ndërrim, ndoshta dy, por në këtë moment nuk dua të flas se kush do të luajë, pasi nuk jam ende i sigurt. Në terren do të jetë ekipi që mundet dhe duhet të fitojë përballë Shqipërisë”, thekosi Susic.
“Do të luajmë ofensivë me dy sulmues. Lus tifozët për durim, pasi do të jetë vështirë të shënojmë golin e parë dhe ne jemi të vetëdijshëm për këtë. Shqipëria është një kundërshtar i fortë, por luajmë para shikuesve tanë, të cilët i pres në numër të madh. Jam i sigurt se do të shënojmë gol, pasi kemi futbollistë që mund të realizojnë”, u shtoi Susic, i cili bëri të ditur se mund të llogarisë në të gjithë futbollistët.
Sipas trajnerit boshnjak, ajo që ndodhi në Rumuni ka qenë një incident që mund t’i ndodhë çdo ekipi edhe më të mirë sesa Bosnja. Ai u bën thirrje futbollistëve ta harrojnë atë takim dhe t’u kthehen rezultateve pozitive që nga kjo ndeshje kundër Shqipërisë.
Tabela - Grupi D
1.Franca -13
2.Bjellorusia-9
3.Rumania -8
4.Shqipëria -8
5.Bosnja -7
6.Luksemburgu -1