Kosova dhe Mali i Zi forcojnë marrëdhëniet dypalëshe

Gjatë kësaj vizite, zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Ibrahim Gashi, ka takuar Sekretarin Shtetëror në Ministrinë e Punëve të Jashtëm të Malit të Zi, Nebojsha Kalugjeroviq dhe drejtorin politik për marrëdhënie dypalëshe Ramiz Bashiq, me të cilët ka diskutuar për thellimin e bashkëpunimit bilateral në të gjitha fushat, për zhvillimet aktuale në Kosovë, raportet ndërmjet dy vendeve tona fqinje si dhe për marrëveshjen e fundit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë lidhur me përfaqësimin rajonal.
Duke u ndalur rreth pozitës të komunitetit malazez në Kosovë, Gashi ka deklaruar se tashmë ka hyrë në fuqi Ligji për Mbrojtjen dhe Promovimin e të Drejtave të Komuniteteve, sipas të cilit komuniteti malazez përkufizohet i barabartë me të gjitha grupet kombëtare, etnike, kulturore, gjuhësore apo fetare tradicionalisht të pranishme në Republikën e Kosovës.
Gashi po ashtu, është siguruar nga zyrtarët e lartë të shtetit fqinj për integrimin e plotë dhe avancimin e mëtutjeshëm të përfaqësimit të shqiptarëve që jetojnë në Mal të Zi, në të gjitha nivelet institucionale të shtetit.
Gjatë këtij takimi zëvendësministri Gashi është pritur edhe nga Ivana Petriqeviq, shefe e kabinetit të Kryeministrit malazias dhe bashkëpunëtorë të tjerë, me ç’rast është biseduare për projekte konkrete, jetësimi i të cilëve, do të ndihmojë në avancimin e bashkëpunimit dhe zhvillimin ekonomik reciprok, si dhe është konstatuar se ekziston gatishmëria për hapjen e ambasadave të dy shteteve në Prishtinë dhe Podgoricë. Është biseduar edhe për disa marrëveshje shumë të rëndësishme në fushën e ekonomisë, sigurisë dhe arsimit.
Zëvendësministri Gashi po ashtu ka zhvilluar një takim me zëvendëskryetarin e Odës Ekonomike të Malit të Zi, Ivo Saveljiq. Të dy bashkëbiseduesit kanë potencuar nevojën e pranisë të kompanive dhe mallrave malazeze në tregun kosovar, dhe të mallrave kosovare në tregun e Malit të Zi, duke shtuar se planin ekonomik ekziston hapësirë për një komunikim më dinamik në fushën e ekonomisë. /Kosovapress/