E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ramadani: Në Kosovë droga hyn me kamionë

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka shprehur shqetësimin e saj për raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit (DASh), të cilin e ka cilësuar si shumë negativ për vendin. Përfaqësues të saj kanë thënë se AAK-ja ka kohë që e ka ngritur një shqetësim, të tillë edhe në Kuvendin e Kosovës, por që, sipas tyre, kjo nuk është marrë fare në konsideratë nga Qeveria e Kosovës.

Sekretari i Përgjithshëm i AAK-së, Burim Ramadani, në një konferencë për media ka thënë se raporti i fundit i Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) është shumë negativ për vendin.

Sipas tij, raporti i DASH-it tregon për defektet që ekzistojnë në kontrollin dhe menaxhimin e kufijve, në mënyrë që të bëhet parandalimi i hyrjes së drogës në vend.

“Qeveria Amerikane në raportin e 7 marsit ndër të tjera bën të qartë se ekzistojnë zona të pakontrolluara kufitare, që mundësojnë trafikun e drogës, ka korrupsion dhe struktura klanore që pengojnë hetimin e rrënjëve të trafikut të drogës, heroina vjen prej Afganistanit, përmes Turqisë dhe Lindja e Mesme për në Kosovë dhe më pas në Evropë, ndërsa kokaina dhe marihuana vjen përmes Shqipërisë dhe Malit të Zi. Droga në Kosovë hyn me kamionë, autobusë dhe vetura. Doganierët marrin ryshfet dhe mbyllin sytë para drogës”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se AAK-ja lidhur me këtë çështje ka iniciuar debat edhe në Kuvendin e Kosovës, por kjo nuk është marrë parasysh nga Qeveria e Kosovës.

Mirëpo, duke e parë këtë situatë, Ramadani ka ngritur pyetjet se “A është kjo Kosova që ne po duam ta ndërtojmë? A është kjo Kosova që ne duam ta kemi në familjen euro-atlantike?”

Sekretari i Përgjithshëm i AAK-së, Burim Ramadani, ka shpalosur planin e kësaj partie lidhur me parandalimin dhe luftimin e kësaj dukurie negative që e ka kapluar Kosovën.

“Të vendoset kontrolli i duhur në të gjithë kufijtë e Kosovës përmes prezencës policore, pajisjeve të reja teknike, prezencës efektive të doganierëve dhe luftimi i korrupsionit në vendkalime kufitare. Të rriten kapacitetet në polici përmes trajnimeve të veçanta, specializimeve operative, rritjes së numrit të hetuesve, aftësimit të policisë në bashkësi, thellimit të bashkëpunimit me shtetet fqinje”, ka thënë ai.

Lidhur me këtë çështje, Ramadani ka thënë se për t’i vetëdijesuar qytetarët e Kosovës se marrja me këtë dukuri është shumë e rrezikshme, ata, së bashku me Aleancën e të Rinjve të Kosovës (ARK), do të iniciojnë projekte për vetëdijesimin e qytetarëve. /Kosovapress/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›