Kosova dhe Serbia përgatiten për bisedime politike

Pa një dialog politik ndërmjet Prishtinës e Beogradit nuk ka ardhmëri të sigurt në veriun e Kosovës. Kështu është shprehur një burim ndërkombëtar për gazetën "Zëri" ndërsa ka shtuar se viti 2012, do të jetë vit përfundimtar për çështjen e veriut të Kosovës.
Ky vit, pra, sipas burimeve të gazetës, do të sjellë bisedime politike Kosovë-Serbi, në të cilat do të merret një vendim për zgjidhjen e problemit të veriut të Mitrovicës. Ndërkaq, arsyeja pse zgjidhja duhet të gjendet këtë vit ka të bëjë edhe me fundin e pavarësisë së mbikëqyrur të Kosovës, thotë burimi.
"Kanë kaluar muaj të tërë dhe barrikadat, problemet ndërmjet shqiptarëve e serbëve, nuk po ndalohen. Prandaj, e vetmja rrugë mbetet një dialog politik ndërmjet Prishtinës e Beogradit, për të gjetur një rrugëdalje nga situata e krijuar në veri. Po ashtu, viti 2012, është fundi i pavarësisë së mbikëqyrur, prandaj tema veri duhet përmbyllur gjithsesi", ka theksuar burimi.