E Diel, 1 Nëntor 2026

Kontesti i emrit, Nimiç takohet me përfaqësuesin grek

Ka nisur në Nju Jork takimi mes ndërmjetësit të OKB-së, Metju Nimiç me palët negociuese nga Athina dhe Shkupi për kontestin e emrit.
Nimiç mbrëmë është takuar me negociatorin grek Adamantios Vasilakis, i cili nuk ka dhënë vlerësime shumë optimiste lidhur me gjetjen e një zgjidhje për kontestin e emrit.
"Kemi pasur një takim me interes me përfaqësuesin special të OKB-së, Nimiç. Greqia mbështet axhendën e zotit Nimiç dhe takimet e sotme dhe të nesërme duhet të shfrytëzohen për aktivizimin e procesit nën patronazhin e OKB-së. Edhe nesër do të takohem me Nimiç, ndërsa takim me pas do të ketë përfaqësuesi i IRJM-së, dhe do të shqyrtohen mundësitë për negociatat që mund të sjellin më afër zgjidhjes së kontestit të emrit", theksoi Vasilakis.
Ai shtoi se Greqia po tregon vullnet dhe konstruktivitet për zgjidhjen e problemit, dhe se pret një gjë të tillë ta bëjë edhe Shkupi.
Sipas Vasilakis, vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës për emrin, që ishte në favor të Maqedonisë, nuk ka qenë në diskutim. "Nuk biseduam për këtë, për shkak se vendimi i gjykatës nuk ndikon dhe nuk ka lidhje me procesin e negociatave që udhëhiqen në OKB", deklaroi negociatori grek Vasilakis pas takimit me Nimiç.
Ndërmjetësi Nimiç sot pritet të takohet me delegacionin nga Maqedonia, ndërsa nuk janë parashikuar takime midis palëve negociatore, por vetëm takime të ndara. Jozyrtarisht mësohet se Nimiç pas këtyre takimeve muajin e ardhshëm do të qëndrojë për vizitë në Athinë dhe Shkup, për të sjellë propozime dhe vlerësime të reja mbi procesin e zgjidhjes së këtij kontesti.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›