Kosova dhe Shqipëria “bashkojnë” spitalet
Shtetasit e Kosovës dhe ata të Shqipërisë do të kurohen falas në spitalet publike të dy vendeve, edhe pas vendosjes së skemës së sigurimeve shëndetësore. Zëvendësministri i Shëndetësisë, Arben Ivanaj, konfirmon për “standard” se marrëveshja funksionon dhe se pacientët kosovarë do të vazhdojnë të marrin trajtim mjekësor falas edhe për disa vite të tjera, në bazë të ripërtëritjes së marrëveshjeve bilaterale që u krye gjatë vizitës së ministres Godo në Prishtinë.
Pacientët
Fillimisht, marrëveshja përfshinte dhënien e shërbimit mjekësor pacientëve që jetonin në qytetet kufi të dy vendeve, por aktualisht pacientët nga e gjithë Kosova vijnë në spitalet publike të Shqipërisë për të marrë trajtim mjekësor falas.
Situata premtonte ndryshime me zbatimin e skemës së sigurimeve në 42 spitalet e vendit, ku, si pacientët kosovarë dhe ata shqiptarë do të përfitonin shërbim shëndetësor falas vetëm në rastet kur paguajnë sigurimet shëndetësore. Ndërkohë, realisht pacientët kosovarë përfitojnë trajtim mjekësor falas në spitalet publike të vendit me gjithë vendosjen e skemës së sigurimeve. “Me Ministrinë e Shëndetësisë së Republikës së Kosovës ministria jonë e shëndetësisë ka një marrëveshje për trajtimin mjekësor të anasjelltë të pacientëve, e cila do të vazhdojë të funksionojë. Kjo, pasi Ministria e Shëndetësisë e Kosovës dhe institucionet tjera shëndetësore trajtojnë pacientë shqiptarë me reciprocitet në institucionet shëndetësore. Edhe pas zbatimit të skemës së sigurimeve të detyrueshme shëndetësore nuk do të ndryshojë asgjë për pacientët kosovarë. Pacientët kosovarë do të trajtohen njësoj si të gjithë pacientët shqiptarë”, -shprehet zv.ministri Ivanaj.
Sipas tij, shpenzimet do të mbulohen nga buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë dhe do të gjendet një zgjidhje për trajtimin e pacientëve që do të vijnë nga Republika e Kosovës. Të sëmurët do të trajtohen nga buxheti i Ministrisë shqiptare të Shëndetësisë.
Marrëveshja
Ish-ministri i Shëndetësisë, Leonard Solis, gjatë mandatit në këtë dikaster pati nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me Ministrinë e Shëndetësisë së Republikës së Kosovës, në bazë të së cilës sigurohet trajtim mjekësor falas i anasjelltë i pacientëve. Kjo marrëveshje ishte nënshkruar për një periudhë 2-vjeçare. Ndër të tjera, në të synohej të realizohej shkëmbimi i përvojës mjekësore mes dy vendeve, trajnimi i ekipeve mjekësore nga Kosova në Shqipëri, për degët më pak të specializuara në Kosovë, si dhe trajtime falas të pacientëve kosovarë në qendrat spitalore në vendin tonë. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, në spitalet shqiptare prej disa vitesh po trajtohen pacientë të ardhur nga Kosova. Vetëm në vitet e fundit në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza" (QSUT) trajtohen me mijëra pacientë kosovarë.