Durrës; Legalizohen edhe 175 shtesa pallatesh
Procesi i legalizimit të ndërtesave pa leje në Durrës ka ecur mirë vetëm me shtesat e pallateve të ngritura para ’90-s. Ndërsa banorët e ish-Kënetës në 2 parcela të cilat kanë studim urbanistik, nuk janë bërë të gjallë edhe pse kanë aplikuar pranë kësaj agjencie 2 vjet më parë për legalizim. Gjatë dy javëve të fundit, në Agjencinë e Legalizimeve, dega Durrës, janë legalizuar 175 shtesa pallatesh të ndërtuara pa leje pas viteve ‘90. Ndërsa vetë këto pallate janë ndërtuar përpara viteve 90’. Në ALUIZNI Durrës, drejtori Andi Lila deklaroi se “në vazhdim të këtij procesi kanë treguar dëshirën dhe gatishmërinë për t’u legalizuar edhe pronarët e 90 pallateve të ndërtuara gjatë viteve të fundit, të cilët kanë kate shtesë, të cilat nuk kanë qenë planifikuar në projekte”. Por ALUIZNI mbetet i shqetësuar se thirrjes së tij për legalizim nuk po i përgjigjen banorët e ish-Kënetës (bëhet fjalë për disa prej tyre) të cilët kanë ngritur banesat në dy parcela pranë rrugës hyrëse të Durrësit. Ata nuk u janë afruar pranë sporteleve të bankave për të paguar detyrimet fiskale në mënyrë që të legalizojnë shtëpitë e banimit. Këto parcela janë brenda një studimi urban, ndaj legalizimi është krejtësisht legjitim. ALUIZNI u ka dërguar thirrje pronarëve të 2000 banesave të ngritura mbi këto parcela, por ata nuk i janë përgjigjur thirrjes. Ndërsa në të gjithë ish-Kënetën janë ndërtuar mbi 10 mijë ndërtime pa leje.