Pashkët risjellin fluksin në portin e Durrësit
Kanë shfrytëzuar ditët e pushimit për Pashkët dhe janë kthyer për disa ditë për të takuar njerëzit e tyre. Gjatë ditës së djeshme, në portin e Durrësit është vërejtur rritja e numrit të pasagjerëve, të cilët kanë zbarkuar në këtë port nga tragetet e linjave me portet italiane. Dje në mëngjes mbërritën 4 tragete, të cilët ishin nisur nga Bari dhe pasdite mbërriti edhe trageti i linjës me Ankonën. Në total, me këto tragete udhëtuan rreth 8 mijë pasagjerë, i cili është një numër relativisht i lartë për këtë periudhë të vitit kur tragetet lundrojnë me nga 100-120 pasagjerë. Po kështu, nga këto tragete zbarkuan edhe 1000 autovetura. Policia Portuale dhe Dogana sqaron se “ky nuk është fluks pasi tragetet janë mbushur nën kapacitetin e tyre, por është një rritje e ndjeshme e numrit të udhëtarëve të cilët janë kryesisht emigrantë të cilët vijnë për të kaluar disa ditë pushimi”. Kjo polici kishte marrë masa dhe kishte çelur 8 sportele për përpunimin e trageteve. Edhe gjatë pasditeve pritet të mbërrijnë në portin e Durrësit 5 tragete me të cilët do të lundrojnë një numër më i madh pasagjerësh veçanërisht gjatë ditës së premte shtunë dhe të diel.