Kosova dhe Shqipëria rrisin bashkëpunimin në fushën e aviacionit civil

Ministri i Transportit dhe Post-Telekomunikacionit, Fatmir Limaj dhe homologu i tij nga Shqipëria, Sokoll Olldashi, të hënën kanë nënshkruar memorandumin e bashkëpunimit mes dy vendeve. Me anën e këtij memorandumi rritet bashkëpunimi i Republikës së Kosovës me Republikën e Shqipërisë për plotësimin e standardeve të duhura në hapjen e hapësirave të larta ajrore, e cila marrëveshje kërkon edhe përkrahjen e NATO-s.
Pas nënshkrimit të memorandumit mes Shqipërisë dhe Kosovës për vijat e aviacionit civil, ministri Limaj tha se konkretizuan një memorandum, i cili hap rrugët që të shkohet në drejtim të bashkëpunimit edhe në këtë fushë për herë të parë mes Kosovës dhe Shqipërisë.
“Me anën e këtij memorandumi, Republika e Shqipërisë merr përsipër t’i modernizojë edhe më tutje sistemet e veta të aviacionit ajror, në mënyrë që me bashkëpunim me kontrollin tonë të trafikut ajror, të akordohet një shërbim profesional dhe i sigurt në hapësirën e lartë ajrore të Kosovës për mbikalime. Nëse kjo normalisht të jetë zgjidhje e dakoroduar edhe me NATO-n. Zotimi i bashkëpunimit të Kosovën me Shqipërinë, si vend anëtare e NATOS-s, është në linjë me përpjekjet e NATO-s dhe vendit tonë, për të implementuar zgjedhjet sa më të mira për hapjen e hapësirës tonë, hapësirës së larat ajrore”, tha Limaj.
Sipas tij, Republika e Kosovës është duke bashkëpunuar në këtë drejtim edhe me vendet tjetra të rajonit, dhe konkretizimi i kësaj marrëveshje do të jetë jo vetëm në shërbim të Kosovës, por edhe në shërbim të regjionit.
“Do të thotë hap rrugë drejt konkretizimit të një marrëveshje, e cila do të jetë jo vetëm në shërbim të Kosovës, por besoj në shërbim të regjionit. Rritë shkallën e sigurisë, rritë shkallën e bashkëpunimit dhe komunikimit, dhe përfundimisht edhe Kosova dhe hapësira e saj ajrore do të jetë e shfrytëzueshme, dhe do të jetë në shërbim të qarkullimit të komunikimit masiv, jo vetëm për dy vendet tona, por mbi të gjithë ata që kalojnë mbi hapësirën tonë ajrore”, tha ai.
Limaj po ashtu falënderoi ministrin Olldashin dhe ekspertet që kanë punuar në këtë drejtim, dhe shprehi bindjen që ky memorandum do të konkretizohet me një marrëveshje, duke siguruar se Qeveria e Kosovës dhe Ministra e Transporti janë të vendosura që të bashkëpunojnë në çdo rrugë dhe të krijojnë sa më shumë kushte lehtësimi të komunikimit të qytetarëve tonë, të transportit të mallrave, të shërbimeve në interes të dy vendeve dhe me qellim të integrimit në BE.
Ndërsa Sokol Olldashi, ministër i Transportit të Shqipërisë, tha se ky memorandum do të jetë shumë i dobishme për administratën e aviacionit civil në Shqipëri dhe Kosovë.
“Besoj që ka qenë një bashkëpunim shumë i frytshëm. Gjatë këtyre muajve kemi arritur disa marrëveshje. Kemi arritur marrëveshje për postën, kemi tre marrëveshje për aviacionin civil, kemi në përfundim pjesën teknike të marrëveshjes së transportit dhe do të jetë shumë e dobishme për transportuesit e dy vendeve. Ndërkohë që kjo do të jetë një dëshmi e vullnetit shumë të çartë që ekziston në të dyja qeveritë shqiptare, të Shqipërisë dhe Qeverisë së Kosovës për të bashkëpunuar me hapa të shpejt, dhe unë jam vërtet i lumtur që dy ministritë tona kanë pas mundësi të japin shembull konkret në këtë drejtim, që të arrimë rezultate konkrete të bashkëpunimit mes nesh”, u shpreh Olldashi. /kosovapress/