E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova dhe miti i rremë i Berishës

Petrit QEJVANI

Po flitet e shkruhet këto ditë  për mitin Berisha në Kosovë. Mitin në kuptimin e kampionit të patriotizmit! Shumë e dyshimtë kjo. Dhe këtë, pasi e marrin të mirëqenë, nisin pastaj ta shpjegojnë. Sipas tyre duket se një arsye e vetme e ka sajuar dhe po e mban në  këmbë këtë mit: emri i tij krejtësisht mysliman Sali (në një Kosovë me shumicë myslimane) dhe mbiemri Berisha. Pra, përkatësia myslimane. Sikur të ishte njëmend kështu, do te ishte jo vetëm anakronike, por shumë e turpshme.

Pa mundur ta dimë sa është Sali Berisha  mysliman në besim, (megjithëse djali dhe vajza e tij gjenden rregullisht ne festat e Islamit) mund të themi se ky argument nuk është bindës për arsyen ë thjeshtë dhe themelore se një besimtari mysliman të vërtetë nuk i lejohen paudhësitë, që ka bërë Berisha. Kosovarët duhet të  kuptojnë se Berisha është politikan dhe puna ia do të jetë ditën e Bajramit mysliman, ditën e Hashures bektashi, ditën e pashkëve katolik apo ortodoks dhe, po deshët ju, ai në Indi mund të shfaqet një hindu apo budist i apasionuar, sa ti lërë pa mend ithtarët e Budës.

Po ku çalon mendimi mbi ekzistencën e mitit Berisha ne Kosove? Pra qenia e tij mysliman (përveç emrit) është e pasigurt. Për pasojë edhe miti i ngritur mbi të bie. Unë po shtoj edhe një rrethanë tjetër, që artikulohet nën zë: qenien e tij nga veriu ( Berisha ka qejf ta thotë nga Gjakova. Kujtoni biografinë e tij të botuar në gazetat e kohës të nesërmen ë shpalljes president në vitin 1992, ku nuk përmendej fare fshati i lindjes, por thuhej nga malësia e Gjakovës). Dhe duhet te jemi realistë :edhe te popuj të civilizuar ekzistojnë ndjenjat lokaliste, krahinore  si dhe prirja e natyrshme për të adhuruar njerëzit me emër të fshatit apo krahinës.

Dhe e treta dhe më e rëndësishmja, fakti i të qenit Kryeministër i Shqipërisë , deri vonë shtetit amë për gjithë shqiptarët, që banonin jashtë Shqipërisë, pra edhe simbol i tyre. Dashuria dhe respekti për të parin e vendit është tradicionale, është dashuri dhe respekt për Shqipërinë, për shtetin shqiptar. Edhe kjo është e natyrshme dhe e kuptueshme. Nuk besoj që të ketë ndonjë faktor tjetër. Mitet zakonisht krijohen për ata që bëjnë bëma të mëdha. Berisha ka bërë më shumë gjëma se bëma.

Megjithatë, nuk ka asnjë testim që të tregojë, qoftë edhe afërsisht, se ai duhet nga të gjithë kosovarët. Me siguri ka njerëz që e duan, ashtu siç ka njerëz që nuk e duan, si dhe në Shqipëri. Po edhe nëse ka, ai është një mit i rremë, i ngritur mbi manipulime, që shpejt do të bjerë. Ata që fryjnë këtë mit, një grusht intelektualësh, për ta bërë të besueshëm mitin e krahasojnë me Edi Ramën, cili nga emri nuk të thotë gjë, pasi nuk është një emër tipik shqiptar, as mysliman, as i krishterë, kurse mbiemrin e ka njëlloj si Berisha, siç përdoret në malësi Sali Rama.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›