E Shtunë, 31 Tetor 2026

E vërteta e elefantit çdo natë në televizion

22-04-2012 / Nga John Hooper (The Guardian)

Giuliano Ferrara është një gazetar obez që në mesin e viteve ’90 ka qenë ministër i qeverisë së parë të drejtuar nga Silvio Berluskoni. Sot është protagonist i emisionit “Këtu, radio Londra”, program i Radio televizionit italian (Rai) që fillon pas edicionit kryesor të lajmeve të orës 20. Emisioni nuk mund të gjente një vend më të mirë në palimsest: në mbrëmje, me mundësinë për të kapur një numër të madh telespektatorësh. “Këtu, radio Londra” konsiston që Giuliano Ferrara i ulur përballë kamerës t’i japë leksione publikut për 7 minuta, mbi çdo argument që i intereson dhe i pëlqen. Drejtuesi i këtij emisioni është një njeri brilant: shprehet në mënyrë të qartë, provokator dhe i dijshëm. Por është në mënyrë të pakundërshtueshme njeri i Berluskonit. Gazeta e tij, Il Foglio, është themeluar falë fondeve të vëna në dispozicion nga ish-gruaja e Kavalierit. Kur qeveria e fundit e Berluskonit hyrë në krizë, Ferrara u thirr të jepte këshillat e tij. Është e vështirë të mendosh një vend tjetër europian, përpos Bjellorusisë, në të cilën një gazetar është kaq hapur i njëanshëm dhe të ketë mundësinë të “qartësojë” kuptimin e shkrimeve. Fakti që vetë Ferrara i ka vënë emisionit të tij njëlloj si emisioni radiofonik i Bbc-së që i drejtohej rezistencës antifashiste, si për të thënë që, “Këtu, radio Londra”, i jep zë viktimave të një diktature, është groteske. Deri në nëntor Silvio Berluskoni ka qenë kryeministër për 8 në 10 vitet e fundit. Përgjatë periudhës berluskoniane Rai, në të cilën këshilli i administrimit pasqyron ekuilibrat e pushtetit në parlament, i ka dhënë zë linjës së qeverisë në dy nga tre kanalet televizive. Ndër kanalet e tjera më të rëndësishme, tre në katër janë pronësi e Berluskonit. Ferrara thirret me nofkën “elefanti”. Në këtë kontekst termi është dyfish i përshtatshëm, pse “Këtu, radio Londra” thekson një elefant mbi kristalet e politikës italiane: gjithçka tjetër mund të ndryshojë me ardhjen e qeverisë së drejtuar nga Mario Monti, por duket se pushteti mediatik i Berluskonit ka mbetur i paprekur. Dhe është e vështirë që gjërat mund të ndryshojnë përpara zgjedhjeve të ardhshme të parashikuara në pranverën e 2013.
E vetmja iniciativë e dukshme në lidhje me mjetet e informimit të qeverisë së re teknike është kërkesa që të hidhet në tender paketa e frekuencave të reja për digjitalin tokësor. Qeveria Berluskoni kishte vendosur që ato do të ishin falur, dhe nuk është e vështirë se kujt. Një lëvizje, megjithatë, e guximshme. Qeveria e Mario Montit është e mbështetur nga një aleancë e përbërë nga partitë kryesore të parlamentit, më e madhja ndër ta është sigurisht Populli i Lirisë (Pdl), partia e Berluskonit. Qeveria ka kërkuar një reformë të Rai-t, por partitë që mbështesin qeverinë duket se kanë vënë veton. Muajin e kaluar ministri Corrado Passera ka lajmëruar me bezdi që nuk ka shumë kohë për një reformë të rregullave për kompozimin e këshillit drejtues të Rai-t, përpara skadencës së mandatit. Nëse në vitet e fundit koncentrimi skandaloz i pushtetit në informacionit Italian ka qenë e paprekur, kjo sigurisht nuk është meritë e politikanëve. Rrjeti Sky Italia, pronësi e Rupert Murdoch, sot mund të llogarisë 5 milionë të abonuar. Kanali që transmeton lajme 24 orë në ditë ofron një mbulim të ekuilibruar, edhe pse pak e anestizuar, të aktualitetit. Dhe pastaj është internet.
Shumë të rinj italianë injorojnë edicionet e lajmeve dhe preferojnë të ndjekin uebsajtet e aktualitetit për t’u informuar. Ndryshimi, megjithatë, është mjaft i ngadaltë. Të dhënat për ndikimin e internetit në Itali janë nga më të ulëtat në BE. Sipas Eurostatit, vitin e shkuar rreth 40 % e italianëve nuk kishte hyrë kurrë në internet. Në Britani kjo shifër është në 10 %. Disa studime theksojnë që italianët marrin 4/5 e lajmeve nga televizioni.
Realiteti i perceptuar – Efektet e kësaj situate janë të pamundura për t’u identifikuar. Megjithatë në 2010 një ent publik, Isae (Instituti i Studimeve dhe Analizave Ekonomike), ka bërë një gjurmim për të hedhur dritë mbi perceptimin që kanë italianët për ekonominë, duke e konfrontuar me realitetin faktik.
Përgjigjet mbi çdo njërën prej tre temave të propozuara (rritje ekonomike, inflacion dhe papunësi) tregojnë një tablo shumë interesante: kur në pushtet ishte Berluskoni, italianët kishin një perceptim pozitiv të ekzagjeruar pavarësisht realitetit faktik, ndërsa me qeveritë e opozitës ndodhte e kundërta. Në vitin 2007, për shembull, kur Italia ishte e drejtuar nga e majta, personat mendonin që papunësia ishte 14.2 %. Në realitet përqindja e të papunëve ishte gati sa gjysma. Kur në qeveri erdhi Berluskoni, perceptimi zbriti në 9.5 %, edhe pse të dhënat reale kishin mbetur substancialisht të njëjtat.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›