Farsa qesharake e zgjedhjes së Nanos president
Klodian Leka
Tejmbushja e të përditshmeve gazetareske me shkronja kapitale mbi zhvillimin e negociatave ndërmjet ish kryeministrit Nano dhe ambasadorit amerikan në Tiranë,si proces për zgjedhjen e një Presidenti Republike autonom dhe për qytetarin po dëshmojnë se kuotat e kushtëzuara prej organizmave ndërkombëtarë për një proçes demokratik,nuk po përmbushen. Fillimisht,ambasadori amerikan Arvizu nuk po manifeston kurrfarë serioziteti dhe po shndërrohet në simetri e klasës politike me darkat e tij në restorante të ndryshme të kryeqytetit, ku tradicionalisht zgjidhen dhunuesit e institucioneve më të çmuara shtetformuese, e së dyti, po shkel dhunshëm sovranitetin shtetëror me përzierjen në punët e brendshme të Republikës.
Po ashtu, nëse zgjedhjen e një Presidenti për qytetarin dhe mbi palët e sheh si tejet të rëndësishëm, do të ishte më e drejtë të hidhte sytë mbi shoqërinë civile dhe individin që mund ti përgjigjej më shëndetshëm kërkesës së qytetarit,që ka të drejtën e tij politike për zgjedhjen e simbolikës kolektive, e jo përzgjedhjen e një individi që simbolizon shkatërrim. Nuk duhet ta përjashtojmë faktin se për gjendjen e mjerueshme mban një përgjegjësi të konsiderueshme për faljen e pushtetit Berishës në kohën kur politika e tij e mbrapshtë po merrte fund. Po të mos ishte Nano nuk do ngjante Gërdeci, ekonomia e shkatërruar dhe një regres total për atdheun, se nuk do të ishte Berisha. S’do ngjante as njëzetenjë janari.
Qartazi më sillet ndërmend mendimi filozofik i Hegelit: Personazhet historike përsëriten dy herë. Herën e parë si tragjedi,të dytën si farsë,ju kundërpërgjigj Karl Marks. Dhe Nano u shemb në peshën e pushtetit të tij të kalbëzuar,si një tragjedi me pasoja shkatërruese për shoqërinë dhe shtetin, ndërkohë,tashmë na shitet si farsë,si i ndërmjetëm,me përgjegjësi dhe tejet demokratik.
Por farsa mbetet farsë,dhe më shkatërruese se tragjedia. Riaktivizimi i celulave mbështetëse të ish kryeministrit tek socialistët na dëshmon qartazi ripërsëritjen e gjendjes: zgjedhja e Nanos President do formësonte një luftë midis Ramës kryeministër dhe Nanos President. Si Topi me Berishën,simetrikisht,në të njëjtën trajtë. Ndërkohë,humbësit si gjithmonë do jemi ne,populli. Në një riciklim figurash,gjendjesh,shkatërrimesh. Ripërsëritje e vendnumërimit njëzetenjëvjeçar. Po zgjidhja? Zgjidhja është zgjedhja e Presidentit drejtëpërsëdrejti nga elektorati.