Kosova dhe post- marrëveshja, jehonë diskutimesh në vend

Në Kosovë vazhdon jehona e marrëveshjes së arritur për përfaqësimin e vendit në Forumet rajonale. Opozita e sheh këtë si kompromis në dëm të shtetësisë së Kosovës, ndërsa qeveria dhe diplomatët perëndimore thanë se ky pajtim ishte zgjidhja më e mirë e mundshme, e cila i siguron Kosovës përfaqësim të barabartë dhe përshpejtim të rrugës europiane. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi tha pak pas arritjes së marrëveshjes se nuk do të pranonte asnjë marrëveshje që nuk e fuqizon shtetësinë e Kosovës. E ndërsa në Beograd thonë ndryshe.
Shefi i delegacionit të Serbisë Borisllav Stefanovic ka deklaruar se Serbia nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, por përkundrazi i ka dhënë jetë Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Ai tha se kjo marrëveshje nuk është e përkohshme dhe shënimi në emrin e Kosovës nuk do të shkrihet siç ka thënë shefja e delegacionit të Kosovës Edita Tahiri. Kundërshtarët e marrëveshjes në Kosovë thonë se ajo e dëmton shtetësinë e Kosovës.
Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar protestë për të hënën kundër marrëveshjes që sipas udhëheqësit të saj Albin Kurti e bën Kosovën me status të papërcaktuar. Kjo lëvizje ka filluar aksionin e mbledhjes së 10 mijë nënshkrimeve të qytetarëve për ta hedhur ne debat parlamentar këtë çështje. Ky aksion pasoi refuzimin e partive tjera opozitare për të mbështetur nismën e Vetëvendosjes për debat parlamentar.
Kryeministri Thaci tha se Kosova përfiton nga kjo marrëveshje. Por, analisti Shpend Kursani, nga instituti KIPRED, thotë se përfitimet janë të pakta në krahasim me kompromisin i cili ishte i panevojshëm. Marrëveshja ndërkaq është mbështetur nga diplomacia perëndimore në Prishtinë e cila vlerësoi se në këtë mënyrë Kosova është afruar më shumë me integrimet evropiane.
Sot përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian, Samuel Zhbogar, tha nëpërmjet një komunikate se Bashkimi Evropian beson fuqishëm se kjo marrëveshje është e mirë për Kosovën, për përparimin e saj dhe për të ardhmen e saj evropiane.