E Shtunë, 31 Tetor 2026

Marrëveshja sipas analistit Server: Të dy palët kanë fituar

Pas vendimit të arritur në Bruksel, shumë zëra në Prishtinë dhe Beograd janë shprehur kundër kësaj arritjeje. Por për analistin, Daniel Server, të dy palët kanë përfituar nga marrëveshja.

“Beogradi gjithnjë e ka përqafuar rezolutën 1244 nga ana retorike, ndërkohë që Prishtina ka qënë hezituese rreth saj. Ndërsa Beogradi që e përqafon këtë rezolutë nuk e respekton atë, sepse ka dështuar në heqjen e institucioneve dhe forcave të sigurisë nga Kosova që nga koha e luftës. Marrëveshja e arritur në Bruksel është mjaft e mirë dhe heq këtë pengesë nga rruga dhe e mundëson Bashkimin Europian për një marrëdhënie ligjore me Kosovën, pa fyer pesë vendet anëtare të bllokut që nuk e kanë njohur Kosovën. Po ashtu kjo marrëveshje e sjell Serbinë pranë anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Si Kosova ashtu edhe Serbia kanë përfituar nga marrëveshja. Nuk mendoj se Kosova ka humbur ndonjë gjë të madhe dhe po ashtu nuk mendoj se Serbia ka humbur ndonjë gjë që kishte më parë. Serbia nuk ka patur sovranitet mbi Kosovën për rreth 13 vite dhe nuk do ta fitonte me këtë marrëveshje. Lidhur me kandidaturën e afërt për Serbinë që flitet në rajon, për mendimin tim varet nga kancelarja Angela Merkel, sepse është ajo që ka përcaktuar një standart më të lartë për Serbinë”- ka thënë Server.

“Pranimi i kandidaturës duhet të miratohet nga të 27 vendet anëtare. Dhe kam dëgjuar se Rumania po nxjerr në pah trajtimin e vllehëve në Serbi. Herët a vonë Serbia do të merrte statusin e vendit kandidat, por ajo që ka rendësi për mua është data e fillimit të negociatave. Është shumë e rendësishme për Beogradin që të fillojë të bashkëpunojë në riintegrimin e veriut me pjesën tjetër të Kosovës në bazë të planit Ahtisari, që i mundëson veriut autoritet më të madh qeverisës. Mospërfshirja e deklarimit të pavarësisë së Kosovës në marrëveshje nuk ishte fitore e madhe diplomatike për Serbinë. Vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë ishte një disfatë e madhe për pikpamjen se Kosova duhet t`i nënshtrohet sovranitetit të Serbisë. Vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë ishte se deklarimi i pavarësisë së Kosovës nuk ishte i paligjshëm”-përfundon ai.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›