Kosova dhe vendet islamike
Askush nuk e kish parashikuar një moskokëçarje të vendeve islamike në drejtim të njohjes së shtetit të ri të Kosovës. Pas njohjes së saj prej fuqive të mëdha perëndimore, SHBA-së dhe katërshes europiane, u duk se procesi do të ecte më shpejtësi. Qoftë edhe për faktin se shqiptarët besonin se do ta kishin në xhep mbështetjen prej vendeve islamike, pa pasur parasysh interesat e ndërthurura gjeopolitike të tyre.
Në enciklopedinë botërore Kosova figuron si një nga 6 vendet europiane me popullsi në shumicë myslimane. Një nga angazhimet e shqiptarëve ka qenë pikërisht bindja e perëndimit se zhvillimet në Kosovë nuk kanë asnjë lloj sfondi fetar. Përkatësia fetare e shqiptarëve të Kosovës nuk mundi të kthehej në pengesë megjithë përpjekjet e Serbisë dhe mbështetësve të saj, për ta trajtuar konfliktin ndëretnik si një përplasje fetare. Kundërshtarëve të çështjes së Kosovës, sa herë iu ka interesuar, e kanë amplifikuar faktin se Kosova është një vend mysliman dhe se lëvizja për pavarësi në thelb kishte karakter fetar. Por Perëndimi nuk mund t’i hante këto broçkulla. Shqiptarët arritën ta kapërcejnë këtë rrezik, por nuk arritën të ruanin sa duhet ekuilibrin në anën tjetër.***
Në Konferencën e Vendeve Islamike (KVI) bëjnë pjesë 57 shtete, përshirë këtu Shqipërinë dhe Kosovën, ndërkohë që lista e vendeve me shumicë myslimane është më pak se 40, ndërsa numri i vendeve të konsideruara tipike islamike është sa gjysma e tyre. Që do të thotë se anëtarësimi në këtë organizatë del përtej të thjeshtës, kushtit të të qenit vend islamik.
Të bën përshtypje një fakt që shumë pak është përmendur: në vitin 2005 Rusia ka marrë statusin e vendit observues në Konferencën e Vendeve Islamike (status që e kanëedhe disa vende afrikane dhe aziatike jo myslimane si dhe disa organizata përfshirë këtu edhe Kombet e Bashkuara). Statusi observues i Rusisë nuk ka se si të mos ndikojë tek influencat e saj mbi vendet anëtare të KVI, të cilat janë në një armiqësi të thellë me SHBA. Një nga arsyet e ngurrimit të disa prej vendeve me shumicë myslimane për ta njohur Kosovën ka qenë proamerikanizmi absolut i shqiptarëve. Por deri diku edhe një tendencë e tyre, për t’u bërë më europianë se sa duhet, duke injoruar një pjesë të vlerave të historisë. Në këtë kontekst sjelljeje, jo perfekte, të shqiptarëve mbështetja për Kosovën do të konsiderohej, prej vendeve islamike, në njëfarë mënyre, si një mbështetje për vetë politikën euro-amerikane. Por, është e rëndësishme të thuhet se, edhe vetë vendet arabe, të organizuar që prej vitit 1945 në Ligën e Vendeve Arabe, me 22 shtete, të cilët janë sot baza e KVI, kanë mjaft diferenca mes tyre në marrëdhëniet më SHBA. Në këto kushte nuk duhet pritur, e shpresuar shumë, që këto vende ta njohin në bllok pavarësinë e Kosovës.
***
Shqiptarët nuk kanë qenë shumë vizionarë lidhur me ruajtjen e ekuilibrave në planin global. Në të shumtën e rasteve, në marrëdhëniet diplomatike me shtetet e zhvilluara, ata kanë luajtur rolin e ushtarit. Jo se shqiptarët kanë bërë gabim në përcaktimin e prioritetit të marrëdhënieve me SHBA dhe Europën perëndimore, sepse falë tyre ata arritën të fusin në rrugën e zgjidhjes së plotë çështjen e tyre kombëtare. Shqiptarët nuk e kanë pasur kurajën asnjëherë të thonë se interesat e SHBA tek ta nuk janë më të vogla se e anasjella. Ata e kanë keqkuptuar proamerikanizmine tyre duke e paraqitur thjeshtë si dashuri apo simpati, pa marrë parasysh se në thelb diplomacitë mbështeten në interesat reciproke. Pa mbështetjen e shqiptarëve, amerikanët do të kishin më shumë vështirësi për të konsoliduar influencën e tyre në këtë rajone, më pas për ta shtrirë atë në rajonin e Kaukazit, një prej pjesëve më të nxehta të globit të sotëm. Ashtu siç shqiptarët, pa mbështetjen e amerikanëve nuk do të kishin mundur ta fitonin pavarësinë e Kosovës.
***
Në vitin 1992, në një mënyrë gjysmë sekrete, Shqipëria u anëtarësua në KVI. Ky anëtarësim nuk u mbrojt asnjëherë publikisht nga ish-presidenti Sali Berisha, i cili, sipas të gjitha gjasave, ndërmori këtë hap për arsye interesash ekonomike, duke shpresuar se disa nga vendet më të pasura të kësaj organizate mund ta ndihmonin Shqipërinë. Një pjesë e politikës dhe opinionit publik, e kritikuan ashpër këtë ndërmarrje duke e konsideruar një lajthitje që mund t’i kushtonte Shqipërisë në marrëdhëniet e saj me perëndimin dhe Kosovën në sigurimin e mbështetjes për pavarësi. Një luftë tradicionalisht e heshtur, bazuar në përkatësisë fetare dhe simpatitë, herë-herë u shfaq haptazi me të gjitha refleksionet e saj në shoqërinë shqiptare, ku kristianët gjithnjë kanë menduar se historia e besimit fetar i ka rënë më qafë Shqipërisë, ndërsa myslimanët e kanë konsideruar këtë histori si një zhvillim me fat që solli krijimin e shtetit të parë shqiptar.
Situata e krijuar në Kosovë e pati detyruar Berishën as të mos e pohonte dhe as të mos e mohonte anëtarësimin në KVI. Pjesëmarrja e Shqipërisë në samitet e Konferencës nuk është bërë asnjëherë transparente dhe ka qenë e nivelit shumë të ulët. Një pjesëmarrje klandestine që më pas e bëri Sali Berishën protagonistin e anëtarësimit, gabimisht, të dyjëzohej.
Çështja e të qenit, ose jo, të Shqipërisë anëtar i KVI, është vlerësuar si një thikë me dy presa për shqiptarët. Loja në dy krahët,mosvlerësimi i këtij forumi jo pak të fuqishëm, ka qenë shumë e lexueshme për vendet islamike të cilët me siguri që janë zemëruar. Diplomacia shqiptare është treguar shumë e ngathët në marrëdhëniet me këto vende. Lidhjet e Shqipërisë me Perëndimin nuk kishin pse të ndikonin në lidhjet normale të shqiptarëve me vendet arabe dhe botën islamike. Nëse shqiptarët do të ishin treguar më seriozë me siguri që Kosova do ishte njohur sot prej shumicës së këtyre vendeve. A është i korrigjueshëm ky ambiguitet? Diplomacia shqiptare duhet vënë në lëvizje për të plotësuar vakuumin që ka krijuar. Kur them diplomacia shqiptare këtu kam parasysh edhe diplomacinë e Shqipërisë dhe të Kosovës. Amerikanët s’kanë asnjë humbje nga afrimi i Shqipërisë, pa kushte, me vendet arabe. Shqiptarët nuk duhet të humbasin miqësitë e vjetra në kërkim të atyre të reja.