Banderolat e kompleksit
Protesta e së premtes mbrëma ishte gjithçka përveçse një rast për të zënë ekrane lajmesh e kryetituj gazetash, por dukshëm dikush mendoi ta përdorte këtë manifestim qytetar të zemëratës mbarëpopullore për të vjelur disa fryte që në fakt nuk i takonin.Si mijëra qytetarë e qytetare të Tiranës e gjithë Shqipërisë që mbuluan dje bulevardin Dëshmorët e Kombit, edhe unë u habita kur një grup zallamahi, zuri kreun e protestës me banderola e flamurë ekskluzivisht të një force politike, e cila ishte veç pjesëmarrse (dhe absolutisht jo organizatore apo drejtuese) në protestë.
Akoma më e papëlqyeshme ishte tentativa për të monopolizuar protestën, kur mendojmë se flamujtë e brohoritjet për LSI-në e liderin e saj nuk kishin asnjë lidhje me përkujtimin e tragjedisë kryeministrore të Gërdecit apo me respektin për jetën e humbur të z.Trebicka.
‘Grabitja’ e drejtimit të protestës së opozitës qytetare tregoi edhe një herë se LSI e ka të pamundur të largohet tutje kompleksit të vogëlsisë e mizantropisë politike që e ka karakterizuar kohët e fundit.Nuk mund të bëhet “e madhe” duke ngritur 5 banderola e duke shkundur 20 flamuj. Nëse LSI do kish qenë serioze në synimin e saj për të treguar se është vërtet në krye të rrymës opozitare në vend, mund ta kish organizuar kryekëput vetë protestën, e të nxirrte aty gjithë banderolat e flamujt që dëshironte. Por kjo nuk ndodhi, dhe ky fakt nuk çudit askënd!
Për fat të mirë, protesta e djeshme nuk vuajti aspak prej pseudo-flamurtarëve, pasi mijëra qytetarë sfumuan me qetësi tentativën për të mbërthyer rolin e flamurtarit.Vetë lideri i LSI-së do ta ketë kuptuar kaq gjë kur hipi në podium e mori fjalën. Banderolat e flamujt që mbinë papritur e pakujtuar në krye të varganit protestues i dhanë në fakt një goditje të fortë imazhit që LSI dëshiron të promovojë në sytë e gjithë qytetarëve shqiptarë, opozitës në përgjithësi, e PS-së në veçanti.
Do të jetë e vështirë për LSI-në që të provojë se në të ardhmen do të jetë një partner i besueshëm koalicionesh elektorale e qeverisëse, kur nuk arriti as ti qëndronte besnike as një pakti për të mos nxjerrë pankarta, banderola e flamuj, thjesht dhe vetëm për të përkëdhelur egon e saj politike.
Kjo përpjekje për të nxjerrë dhjam nga pleshti është një episod që i shtohet listës tanimë të gjatë të problemeve që karakterizojnë marrëdhënjet mes PS-së e LSI-së, dhe sigurisht që nuk do të ndihmojë aspak në qetësimin e një klime që është tejet e tensionuar qysh prej zgjedhjeve të përgjithshme të 2005-ës.Përtej retorikave të vagëta që bëjnë thirrje për mbrojtje të kushtetutës apo largimin e Berishës (e meqë jemi këtu, kur ka ndodhur që ky i fundit të largohet vullnetarisht nga pushteti?), LSI po tregon edhe një herë se është e ngërthyer nga një kompleks inferioriteti përkundrejt opozitës në tërësi, ndërsa qëndron e zhytur në një pellg vetëkënaqësie e vetëgënjimi, që e shpien shumë larg nga realiteti politik i vendit.
Por narcisizmi e vetëidhullëzimi në politikë janë provuar se janë strategji joefektive e në të njëjtën kohë destruktive, sidomos për ata që i aplikojnë.Le të shpresojmë që përgjigja që LSI mori nga qytetarët për veprimet e saj të pavenda në protestën e së premtes, do të jetë një mesazh që LSI e ka marrë dhe e ka kuptuar. Le të shpresojmë se ngërçi i inferioritetit do të zëvendësohet nga një tentativë e pastër bashkëpunimi për të ndarë përgjegjësi e detyra e jo për të shkundur banderola.