Olmert i paraqet kabinetit dorëheqjen
Kryeministri izraelit Ehud Olmert i tha zyrtarisht kabinetit të tij se do të dorëhiqej, por vazhdoi se do të jetë në detyrë deri në krijimin e qeverisë së re. Ai pritet të zëvendësohet nga ministrja e Jashtme izraelite Tzipi Livni e cila ka 6 javë kohë për të formuar një koalicion të ri qeveritar.
Olmert e bëri publike dorëheqjen e tij që në korrik, kohë në të cilën u përball me presione të shumta lidhur me hetimet që po kryhen për të nën akuzën e korrupsionit. Megjithatë ai ende duhet t’ia paraqesë dorëheqjen e tij presidentit Shimon Perez.
Korrespondenti i BBC-së në Jeruzalem u shpreh se Olmert do ta mbajë edhe për pak kohë postin e kryeministrit, ndërsa pasuesja e tij në krye të partisë, zonja Livni, do të përpiqet të formojë qeverinë e re. Për Livnin asgjë nuk do të jetë e lehtë, sepse partia e saj nuk ka shumicën në parlamentin izraelit. Është një proces i ndërlikuar i cili mund të çojë në zgjedhje të përgjithshme në fillim të vitit të ardhshëm gjë që do të bënte që Olmert të mbetej kryeministër deri në atë periudhë.
Hetimet mbi korrupsioninLivni, e cila është një moderatore, fitoi kryesimin e partisë të enjten duke mundur ministrin e Transporteve Shaul Mofaz me vetëm 431 vota apo 1,1% më shumë. Sipas zyrës së presidentit, Livni ka 42 ditë kohë që të formojë një koalicion të ri. Nëse ajo dështon, presidenti do t’ia japë këtë detyrë një tjetër anëtari të partisë dhe nëse ai dështon sërish, kreu i vendit mund të bëjë edhe një lëshim tjetër ose të thërrasë për zhvillimin e zgjedhjeve, të cilat duhet të kryhen brenda 90 ditëve.
Olmert u shpreh se do të jepte dorëheqjen pasi partia e tij të zgjidhte një tjetër kryetar. Ai ka pësuar një presion të madh lidhur me hetimet e shumta për korrupsion gjatë kohës së tij më pak se tre vjeçare në detyrë. Deri më tani ai i ka mohuar të gjitha akuzat. BBC