Reforma që duhet reformuar
“Me këtë vit shkollor mbyllet reforma e kurrikulës e arsimit bazë, e cila është përvijuar vite më parë. Me gjithë përmirësimet e kryera, gjykimi i përgjithshëm është se nuk u arrit dot të kapet momenti për të krijuar një kurrikul me karakteristika të dukshme bashkëkohore. Ne kemi programe lëndore (syllabuses) të reja për arsimin bazë, tekste të reja, ato janë përgjithësisht më të mira se të mëparshmet, por nuk shkuam deri në një brez të ri programesh dhe tekstesh e te një mësimdhënie-mësimnxënies moderne. Jemi përballë sfidës për ta bërë këtë tani, në arsimin e mesëm të lartë”. (Fragment nga Raporti i Ministrit të Arsimit dhe Shkencës në Konferencën e IV- për rishikimin e reformës së projektit ''Cilësi dhe Barazi në Arsim“ Maj, 2008).
Deklarata, edhe pse me vonesë, i bën nder ministrit, i cili duhet përgëzuar për vështrimin realist. Nuk dihet se çfarë pakete treguesish sasiorë dhe cilësor ka përdorur grupi që i ka sugjeruar z.Ministër këtë fakt shqetësues. Pasi në vendin tonë është e vështirë, në mos e pamundur, të gjesh raporte ekspertësh që vlerësojnë ndikimin e programeve reformuese. Gjithsesi, tej pretendimeve profesionale, ne mund të komentojmë disa fakte dhe dukuri, që shpresoj t’u vijnë në ndihmë të interesuarve për të perceptuar më qartë kahun e ndryshimeve që synohen.
Reformë, por pa ligj - Duket si paradoks, por është e vërtetë. Madje, deklarata e z.Ministër, e bërë në vitin 2008, u parashikua nga disa ekspertët, që në vitin 2004, koha kur nisi të kristalizohej reforma në këtë nivel. Dhe jo më kot.
Gjatë implementimit të reformave arsimore të viteve ’80, në vendet e zhvilluara, rezultuan ndërlikime të natyrave të ndryshme. Kjo bëri p.sh. që, edhe Britania e Madhe, vendi ku “ajo që mësohej në shkollë” përshkruhej nga kryeministri i kohës, James Callaghan, si “kopsht sekret” i ekspertëve, me ligjin e famshëm arsimor të vitit 1989, t’u jepte autoriteteve arsimore publike të drejtën të reformonin programet shkollore. Kujdesi u rrit deri në atë masë sa, në disa shtete amerikane, dija themelore, që duhet të zotërojë nxënësi, deri në fundin e shkollimit të tij, të përshkruhet në ligj.
Ka, më së paku, 4 fusha thelbësore të jetës dhe veprimit në arsim që duhen mbuluar nga ligji (jo nga VKM). Kështu, reforma arsimore ka nevojë që ligjvënësit të bien dakord dhe të caktojnë synimet arsimore kombëtare për arritjet e dëshirueshme nga sistemi, ose nga një element i tij, si dhe për objektivat e politikës shtetërore për arsimin. Më tej, në ligje të tilla paraqiten përcaktimet themelore të politikës kurrikulare, që janë përcaktime të politikës për mësimdhënien, nxënien dhe vlerësimin. Gjithashtu, ligji shprehet qartë për kurrikulin kombëtar, ndryshe për fushat e dijeve dhe kompetencat që duhen zhvilluar te nxënësit etj. Me po kaq rëndësi rezultojnë dhe linjat drejtuese administrative kombëtare, që janë linjat për administrimin e sistemit dhe të shkollave.
Nuk është nevoja të jesh ekspert në fushë për të kuptuar sa i mangët është ligji ynë i arsimit parauniversitar, i vitit 1995, që, ka shërbyer formalisht si bazë ligjore për reformën në këtë nivel. Por mangësitë ligjore lanë shteg për dështime, që deklarata ministrore e përmendur në hyrje, me takt, përpiqet t’i paraqesë si moskapje të momentit.
Reformë, por pa kornizë kurrikulare - Korniza është dokumenti /projekti, që skicon dhe orienton ndryshimin në kurrikul. Për nga vlera që ka, ky i fundit qëndron në zemrën e reformës arsimore. Se sa i rëndësishëm për suksesin e reformës arsimore është korniza kurrikulare, këtë e ilustron rasti i Kosovës. Atje, lista e autorëve dhe kontribuuesve përmban 7 organizata dhe agjenci ndërkombëtare si UNIEF, UNESKO, GTZ, Banka Botërore etj., në përbërje të të cilave punuan 33 ekspertë ndërkombëtarë, ndër të cilët Cecilia Braslavsky, Drejtore e IBE, UNESCO. Nuk po përmend këtu ekspertët më të mirë të arsimit kosovar. Ndërsa, në vendin tonë, për hartimin e një draft-kornize nga Instituti i Studimeve Pedagogjike, ndihmoi vetëm 1 ekspert i huaj(!) Ndoshta, kjo mund të jetë dhe një nga arsyet pse draft-korniza kurrikulare, që prodhoi ISP, nuk arriti të heqë dot pjesëzën “draft”.
Parlamenti apo “këshilli i ministrit” - Reforma arsimore shqiptare meriton të quhet unike, qoftë dhe për dy dukuri interesante, që morën jetë nga mungesa e ligjit arsimor.
E para, në rendin kohor lidhet me vendimin që mori një ministër për ndryshimin e kohës mësimore, ndryshe, shkurtimin e javës mësimore nga 6 në 5 ditë. Çudia në këtë rast nuk lidhet me zvogëlimin e javës mësimore, por me procedurën që u ndoq. Procedura krijoi precedentin e zëvendësimit të Parlamentit me një këshill ministror, çka nuk mund të ndodhë askund, sepse koha mësimore është një nga kolonat e procesit arsimor, shpërndarja e saj është orientim themelor i çdo reforme arsimore ndaj bëhet me ligj. Sistemet arsimore nga natyra janë nga më konservativët në botë. Për nga rezistenca ndaj ndryshimit atyre mund t’ua kalojnë vetëm organizatat religjioze. Në arsim, ndryshimi pranohet me shumë vështirësi, ndaj kur reformon duhet të respektosh me fanatizëm mençurinë që vjen nga sentenca e “matjes dhe gërshërës”.
Te ne, vendimi ministror zvogëloi numrin e ditëve mësimore (kjo ishte normale), por nuk balancoi ngarkesën mësimore. Kështu, në kohën e këtij ndryshimi, afërsisht 7 vite më parë, një nxënës anglez i viteve III-IV zhvillonte 22 orë e 30 minuta në javë. Kaq u la dhe për nxënësin shqiptar, madje edhe sot kaq është, por këshilltarëve të ministrit u kishte shpëtuar një vogëlsi. Ora mësimore (1 hour) në Angli ka 60 minuta, ndërsa në Shqipëri 45 të tilla. Ndaj dhe diferenca ishte jo pak, por rreth 5 orë reale. Edhe po t’i referohesh normës franceze, promovuar pak kohë më parë, nxënësit e kësaj moshe, brenda 4 ditëve të javës mësimore, zhvillojnë afërsisht të njëjtin numër orësh reale me bashkëmoshatarët e tyre anglezë.
Përvoja e dytë, lidhet me ndryshimin e strukturës së sistemit arsimor, ndryshe kalimin në arsimin e detyruar 9-vjeçar. Edhe në këtë rast, si argument ligjor, u përdor sentenca “gjithçka lejohet nëse ligji nuk e ndalon”. Kur ne patëm rastin të ndryshonim strukturën e sistemit arsimor, qoftë dhe me vendim ministror, këshilltarët e ministrit duket se nuk kishin arritur të konstatonin përvojën e re, që po përvijohej në vendet ku sisteme arsimore janë faktorë të fuqishëm për zhvillimin e qëndrueshëm dhe prosperitetin shoqëror. Këto vende e organizuan arsimin bazë duke përdorur si njësi bazë ciklin, që përfshin, të paktën, 2 vite shkollore. I parëndësishëm në dukje, ky ndryshim mbështetet mbi teoritë më moderne të njohjes dhe nxënies (p.sh., konstruktivizmi social), me një sërë ndikimesh pozitive në arritjet e nxënësve. Mbi të gjitha, duke e konceptuar arsimin jo si pjesë të jetës, por si vetë jetën, me ritmin, afeksionin, sfidën, përkushtimin dhe përvojën e saj.
Prognoza - Historia po përsëritet. Tashmë për reformimin e arsimit të mesëm të lartë. Sërish, kemi filluar pa ligj, pa kornizë kurrikulare, pa pilotim etj. Madje, mesa thuhet, detyra për të reformuar këtë nivel të rëndësishëm arsimor iu dha Institutit të Kurrikulave dhe Trajnimit vetëm para një viti. Do doja të rikujtoj të interesuarit se zhvendosje të tilla, edhe kur merr këshilla nga ndonjë agjenci e huaj, kërkojnë kohë. Që të konceptohen, pilotohen, vlerësohen dhe përshkruhen ligjërisht. Procese të tilla janë të domosdoshme sepse arsimi i mesëm merr parasysh dhe shpie më tej arritjet e arsimit bazë, ato që, për fat të keq, ministri i mëparshëm i cilësoi me mjaft delikatesë si jo moderne.