Fituesit në fazën paraprake, përjashtohen nga riregjistrimi
Listat zyrtare me fituesit 2008-2009 më datë 25 shtator. Në lojë edhe 250 vende bosh në të gjithë vendin
Nuk ka riregjistrim për studentët që janë shpallur fitues në fazën e parë dhe nuk dëshirojnë të ndërrojnë degë
Studentët të cilët kanë fituar në fazën e parë të regjistrimit në universitete dhe rezultojnë fitues në të njëjtën degë edhe në fazën përfundimtare të pranimeve në institucionet e arsimit të lartë publik, nuk do të riregjistrohen në degën ku janë shpallur fitues. Udhëzimi i Ministrisë së Arsimit bën të qartë se për këta studentë do të merren në konsideratë dokumentet e dorëzuara në sekretaritë e fakulteteve në fazën e parë paraprake, ndërsa procesi i riregjistrimit do të jetë i vlefshëm vetëm për ata studentë të cilët pas rishpërndarjes së kandidatëve në vendet bosh do të shpallen fitues. Sqarimin për kandidatët fitues në fazën paraprake e bëjnë sekretaritë e dekanateve, të cilat edhe pas mbylljes së fazës së parë të regjistrimeve janë ndeshur me interesimin në rritje të kandidatëve që janë shpallur tashmë fitues. Njëkohësisht çregjistrimi do të bëhet nga vetë fakultetet në momentin që kandidati kalon si fitues në një preferencë më të lartë. Në përfundim të fazës paraprake të regjistrimit, MASH bën të ditur se në të gjitha universitetet publike në vend janë të lira 2500 vende, ku numrin më të lartë të kuotave të lira e ka Universiteti i Tiranës.
***
Regjistrimi përfundimtar i kandidatëve fitues do të nisë më datë 25 shtator dhe do të vazhdojë për 8 ditë me radhë për t’u mbyllur më datë 3 tetor. Listat përfundimtare me fituesit për secilën degë do të shpërndahen në fakultete në mesin e javës në vazhdim, ndërsa sekretaritë do të jenë në dispozicion të fituesve nga ora 8:00 e mëngjesit në orën 18:00 të mbrëmjes. Gjatë ditëve të regjistrimit, MASH ka urdhëruar institucionet e arsimit të lartë publik, që të afishojnë në vende të dukshme listat, kjo për të lehtësuar shërbimin ndaj studentëve. Njëkohësisht me punën për regjistrimin e kandidatëve që janë shpallur fitues në listat përfundimtare, sekretaritë do të bëjnë edhe çregjistrimin e tyre nga programi i studimit ku janë regjistruar paraprakisht. Për kandidatët të cilët edhe në listat përfundimtare rezultojnë fitues në të njëjtin program studimi, MASH bën të ditur se nuk është i nevojshëm riregjistrimi. Në momentin e çregjistrimit, kandidatëve që në fazën përfundimtare gjenden fitues u kthehen dokumentet e dorëzuara në fazën paraprake duke humbur në këtë mënyrë të drejtën për të vazhduar në këtë degë.
***
Lista përfundimtare e fituesve, edhe në rast të mbetjes së vendeve bosh në degë të veçanta, nuk do të ketë asnjë lëvizje. Lista që Ministria e Arsimit dhe Shkencave do të dorëzojë në institucionet e arsimit të lartë publik do jetë ajo zyrtare, gjë që do të thotë se më datë 25 shtator, kuotat e pranimit në universitete publike, do të cilësohen zyrtarisht të plotësuara. Për të kryer regjistrimin përfundimtar kandidatët të cilët kalojnë në një preferencë më të lartë duhet të dorëzojnë në sekretaritë e degëve ku janë shpallur fitues 4 dokumente si: Dëftesë pjekurie origjinale; Dokument identifikimi dhe fotokopje të tij (në dosje mbahet vetëm fotokopja e dokumentit të identifikimit); 2 fotografi si edhe Mandat arkëtimi i tarifës së regjistrimit prej 1.500 lekë ku Numri i llogarisë ku do të derdhet tarifa duhet të kërkohet në fakultetin përkatës. Faza e dytë e shpërndarjes së kandidatëve fitues në universitete do të përmbyllë edhe kapitullin e pranimeve të studentëve duke i çelur në këtë mënyrë rrugën fillimit të vitit akademik 2008-2009, i cili do të nisë më datë 6 tetor.
Faza Përfundimtare
Në Tiranë 1 400 vende bosh për humbësit në fazën paraprake
Në përfundim të fazës paraprake të regjistrimeve, e cila u mbyll më datë 17 shtator universitetet publike në vend kanë raportuar 2500 vende bosh për studentët të cilët kërkojnë të kalojnë një preferencë më lart ose që nuk janë shpallur fitues në fazën e parë të përzgjedhjes. Në Universitetin e Tiranës dega e cila ka më shumë kuota të lira pas përfundimit të fazës së regjistrimit paraprak është Mësuesia, ndërsa më pak vende gjenden pas mbylljes së kësaj faze në degët e Drejtësisë, Gazetarisë dhe Punëve Sociale. Në universitetin më të madh në vend janë raportuar vende bosh në të gjitha degët e fakulteteve. Në këtë institucion publik arsimor nga 5 165 fitues, vetëm 4 112 kandidatë janë regjistruar duke lënë bosh plot 1 053 vende. Në Mjekësi kanë mbetur bosh 60 vende, në Drejtësi 53 vende, ndërsa te Ekonomiku kanë mbetur plot 317 vende të paplotësuara. E njëjta gjë ka ndodhur edhe në Universitetin Politeknik. Në mbyllje të fazës së parë të regjistrimeve ka rezultuar se nga 1 790 fitues janë regjistruar vetëm 1 461, duke u hapur kështu dritën jeshile 329 kandidatëve të tjerë. Në Universitetin e Gjirokastrës, gjatë fazës së parë të regjistrimeve, janë plotësuar 613 vende duke lënë bosh vetëm 96 të tjera, ndërsa në Universitetin e Elbasanit nga 2 040 kuota të planifikuara janë regjistruar vetëm 1 580 fitues, duke u dhënë mundësi 460 kandidatëve të tjerë për të fituar të drejtën e studimit. Universiteti i Vlorës ka raportuar 530 vende të paplotësuara, nga 2 750 kuota në total, ndërsa ne Universitetin e Shkodrës, faza e parë e regjistrimeve është mbyllur me 1635 studentë të regjistruar, duke lënë bosh plot 715 vende. Të dhënat e universiteteve do të dërgohen në Ministrinë e Arsimit, e cila do të rishpërndajë kuotat dhe do të afishojë listën e dytë të fituesve, që është edhe përfundimtarja, më 25 shtator.
Trojet, lista e fituesve më 30 shtator
Përfundimi i regjistrimeve në sistemin e ditës do të hapë udhën për fillimin e procesit të pranimit të studentëve nga trojet. Ministria e Arsimit bën të ditur se do të dorëzojë në institucionet e arsimit të lartë publik më datë 30 shtator listat me emrat e kandidatëve nga trojet. Regjistrimi i studentëve në universitetet publike do të nisë më datat 1,2,3 tetor ku për të qenë pjesë e auditorëve në vitin akademik 2008-2009, studentët nga trojet duhet të dorëzojnë në fakultetet përkatëse 4 dokumente si: Dëftesë pjekurie origjinale, Dokument identifikimi dhe fotokopje të tij (në dosje mbahet vetëm fotokopja e dokumentit të identifikimit), 2 fotografi si edhe Mandat arkëtimi i tarifës së regjistrimit prej 1.500 lekësh (Nr. i llogarisë ku do të derdhet tarifa duhet të kërkohet në fakultetin përkatës). Përsa i përket dy dokumenteve të para a dhe b, Ministria e Arsimit njofton se duhet të jenë të përkthyera në gjuhën shqipe dhe të noterizuara. Lista e kandidatëve fitues, sipas programeve të ndryshme të studimit, përcaktohet nga Ministritë e Arsimit, apo autoritetet e autorizuara në vendet përkatëse, në përputhje me kuotat e pranimeve të miratuara nga Këshilli ynë i Ministrave, dhe duhet të dërgohen në Institucionet publike të Arsimit të Lartë deri më datën 30 shtator 2008.