E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosova do ta presë me lule zv/presidentin amerikan, Xhozef Bajden

Janë në përfundim masat e marra për pritjen në Prishtinë e Ferizaj të numrit dy të shtëpisë së Bardhë. Ditën kur Bajden mbërrin në Sarajevë, Policia e Kosovës ka konsultuar Departamentin Amerikan të Shtetit për masat e sigurisë për ardhjen në Prishtinë, të enjten. Nxënësit e shkollave fillore e të mesme të Prishtinës e Fushë-Kosovës do të vendosen anash rrugës, ndërmjet këtyre dy qyteteve, për ta përshëndetur me lule e me flamuj


Nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme të Prishtinës dhe Fushë-Kosovës, të enjten do të kenë një detyrë interesante. Nën përkujdesjen e drejtorive të Arsimit të këtyre dy komunave, ata duhet të përshëndesin ardhjen e zëvendëspresidentit amerikan, Joseph Biden. Burime të sigurta kanë konfirmuar se është marrë vendim që këto dy komuna t’i vendosin nxënësit përgjatë rrugës nga Fushë-Kosova deri në Prishtinë. Përveç luleve, ata do të mbajnë flamurin amerikan dhe të Kosovës për t’i uruar mirëseardhje nënpresidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA). “Deri në gjysmë të rrugës me Fushë-Kosovën, do të vendosen nxënësit e Prishtinës, kurse nga pjesa tjetër, ata të Fushë-Kosovës”, thotë ky zyrtar për mediat. Asnjëherë në këto nëntë vitet e fundit nuk është përdorur një praktikë e tillë për të vendosur nxënësit në pritjen e personaliteteve të ndryshme. Muhamet Gashi, zëdhënës i Komunës së Prishtinës, nuk pranon të japë ndonjë shpjegim apo konfirmim në lidhje me këtë çështje. “Për të gjitha planet e pritjes, Komuna do të koordinohet me Ministrinë e Punëve të Jashtme”, thotë Gashi për Express. Sipas tij, në ditët në vijim, Komuna e Prishtinës do të informojë saktësisht se çfarë plani është hartuar për pritjen e mikut të shqiptarëve. Por derisa zëvendëspresidenti amerikan, Joseph Biden ende nuk është nisur të vijë në Ballkan, duket se për pak ditë Prishtina do të pastrohet pak më tepër. Zyrtarë të Komunës tregojnë për gazetën se këtyre ditëve do të bëhet edhe stolisja e qytetit, do të pastrohen rrugët, ndërkohë që policia do të bëjë rregullimin e trafikut. Arbër Beka, zëdhënës i Policisë së Kosovës, shpjegon se për këtë vizitë shumë të rëndësishme, ende nuk është vendosur saktësisht se cilat rrugë në kryeqytet do të bllokohen. “Momentin e parë që do të vendoset për bllokimin e rrugëve dhe për përgatitjet e tjera në detaje, do të njoftojmë qytetarët”, thotë Beka. Megjithëkëtë, ai sqaron se sa i përket sigurisë, tashmë policia është përgatitur dhe është e gatshme të ofrojë siguri maksimale. “Policia e Kosovës ka pasur takime me personelin e sigurisë nga Departamenti amerikan i Shtetit dhe me zyrtarë nga Ambasada amerikane në Prishtinë, dhe tashmë janë bërë përgatitjet e nevojshme”,u shpreh zëdhënësi Arbër Beka. Para se të vijë në Kosovë, zëvendëspresidenti amerikan do të vizitojë Bosnjën dhe Hercegovinën, Serbinë dhe të enjten do të mbërrijë në Kosovë. Në Kosovë ai do të takojë presidentin, kryeministrin, kryetarin e Kuvendit dhe ministrin e Punëve të Jashtme. Më pas, Joseph Biden do të vizitojë edhe Bonsteelin, bazën më të madhe amerikane në Ballkan, që ndodhet Ferizaj.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›