E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reforma e suksesshme të qeverisë shqiptare ishin çelësi që hapi derën e NATO

Ish-zv.Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Gordon Richard England, vlerësoi dje, se "reformat e gjithanshme e të suksesshme të ndërmarra nga qeveria shqiptare, nën udhëheqjen e Kryeministrit Berisha, ishin çelësi që bënë të mundur hapjen e derës së NATO-s për Shqipërinë". Sipas zyrës së shtypit pranë kryeministrisë, Kryeministri Sali Berisha priti dje në një takim, ish-zv/sekretarin e Mbrojtjes dhe dy herë Sekretar i Departamentit të Forcave të Armatosura Detare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, England. Ish-zv.Sekretari amerikan i Mbrojtjes vlerësoi se "anëtarësimi i Shqipërisë në NATO u krye shumë më shpejt nga çfarë mund të imagjinonte shumëkush prej nesh dhe kjo falë reformave të mëdha që qeveria shqiptare i realizoi me sukses".

Zoti England vlerësoi ndryshimet e jashtëzakonshme që kanë ndodhur në vend dhe dinamizmin e madh që vërehet në ekonominë shqiptare dhe në zhvillimin e vendit. Ai u ndal veçanërisht në veprat e mëdha infrastrukturore si rruga Durrës-Morinë apo rruga e bregdetit të Jugut. "Jemi jashtëzakonisht të impresionuar me punën që po bëni, jemi të impresionuar me Shqipërinë dhe popullin tuaj", tha zoti England. Nga ana e tij, Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen për mbështetjen dhe kontributin që Sekretari England ka dhënë për integrimin e Shqipërisë në NATO, por edhe për reformat e thella e të rëndësishme për transformimin dhe modernizimin e Forcave të Armatosura shqiptare. "Pa mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe kombit të madh mik amerikan, realizimi i këtij projekti nuk do të qe i mundur", tha Kreu i Qeverisë shqiptare.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›