Kosova do të bashkëpunojë me Serbinë si fqinj
Sipas gazetës Koha Ditore, Thaçi ka paralajmëruar se të arriturat e Kosovës do të prezantohen edhe në Këshillin e Sigurimit të OKB-së nga ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni.Ndërkohë, këshilltari për media i presidentit Fatmir Sejdiu, Xhavit Beqiri, ka deklaruar se çështja e statusit është e mbyllur dhe Kosova nuk ka nevojë ta ndryshojë kursin e saj në kontekst të raporteve me UNMIK-un. Beqiri ka thënë se Kosova është treguar çdoherë e gatshme për bashkëpunime rajonale, përkundër se Serbia ka vazhduar të vë pengesa. Ai ka shtuar se Kosova është e gatshme të bashkëpunojë edhe me Serbinë, por si shtete të pavarura dhe sovrane.Sipas nënkryetarit të AKR-së, Ibrahim Makolli, shefi i OKB-së është dashur që t’i bëjë thirrje vetëm Serbisë që ta njohë realitetin e ri në Kosovë. “Ban Ki-moon është dashur të dijë se sa shtete të OKB-së e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe se çështja e statusit tashmë është e mbyllur”, ka thënë Makolli, duke shtuar se thirrja e dyanshme mund të shtojë apetitet e Serbisë që të besojë se statusi i Kosovës ende nuk është i mbyllur.Ndërsa sekretari i përgjithshëm i AAK-së, Burim Ramadani, ka vlerësuar se thirrja e shefit të OKB-së është në vazhdën e thirrjeve të mëparshme që ka për qëllim ndërtimin e marrëdhënieve të mira në mes Kosovës e Serbisë.