Kosova do të përfaqësohet pa termin “Republikë” në nismat rajonale

Produkt i dialogut Prishtinë-Beograd. Reagon opozita: Kosova po shndërrohet si Palestina
Qeveria e Kosovës po numëron minutata e fundit drejt pajtimit me palën serbe dhe Bashkimin Europian për t’u përfaqësuar pa termin “Republikë” në nismat rajonale.
Ky fakt është konfirmuar nga Edita Tahiri të mërkurën për mediat, ndërsa ka shpjeguar se edhe Serbia ka hequr dorë nga rezoluta 1244. Sipas Edita Tahirit e cila të premten zhvilloi një komunikim me video-lidhje me ndërmjetësuesin e Bashkimit Europian, Robert Kuper, ky është një hap përpara sepse Kosova deri më tani është përfaqësuar nga UNMIK. Kryeministri i Kosovës Hashim Thaci, nuk e ka mohuar e as pohuar këtë fakt, por ai ka insistuar se Kosova do të përfaqësohet si shtet i pavarur dhe sovran. Deri më tani Kosova është përfaqësuar nën logon e UNMIK-ut nëpër konferencat rajonale ndërsa ka pasur raste kur Serbia për shkak të prezencës së autoriteteve kosovare e ka lëshuar sallën. Edhe pas insistimit të gazetarëve kryeministri Thaçi nuk dha detaje teknike për modelin e prezantimit të Kosovës, por ai i quajti injorantë disa opozitarë të cilët kritikuan qeverinë se duke hequr dorë nga termi “republikë” po e shndërron Kosovën në një shtet si Palestina. Kryeministri Thaci nuk u përgjigj as në pyetjet e Vetëvendosjes për takimin e tij me Tadicin.
Ndërsa i pyetur se ku i merr partia e tij informatat për liderin e Vetëvendosjes Albin Kurti, kur e akuzon për lidhje me serbet, kryeministri kosovar tha se nuk do t’i shfrytëzojë ambjentet e qeverisë për të bërë komente partiake.