Kosovë, Rexhepi: Fletarrest ndërkombëtar për vrasësit e policit Zymberi

Ministri i Brendshëm pranon se arrestimi i përgjegjësve është i vështirë, por njëherazi garanton se ligji do veprojë shumë shpejt mbi 6 personat e idenfitikuar
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Bajram Rexhepi, ka deklaruar të premten se prioritet kryesor për ministrinë që ai e udhëheq është lufta kundër krimit të organizuar dhe vendosja e rendit dhe ligjit në veri të vendit. Rexhepi në një konferencë për media ka thënë se në mesin e prioriteteve është edhe arrestimi i gjashtë të dyshuarave për vrasjen e Enver Zymberit, e për të cilët është lëshuar fletarrest ndërkombëtar, mirëpo ai ka pranuar se arrestimi i tyre do të jetë i vështirë. Ministri Rexhepi thekson se pengesë tjetër për arrestimin e Ratomir Bozoviç, Radovan Radiç, Milovan Vlaskoviç, Slobodan Vuciniç , Dushan Jovanoviç dhe Ratomir Kasaleviç është edhe mos kontrolli i plotë i kufijve në veri dhe barrikadat. “Prioritetet e Ministrisë së Punëve të Brendshme për vitin 2012 janë sundimi i rendit dhe ligjit në tërë territorin e Republikës së Kosovës, plotësimi i kritereve teknike për liberalizimin e vizave me BE-në, vazhdimi i reformave në agjensitë ekzekutive të MPB-së, bashkëpunimi rajonal dhe ndërkombëtar”, tha ndër të tjera Rexhepi.