Kosova e 79-ta në Olimpiadën Ndërkombëtare të Matematikës

Për vitin e tretë me radhë, Ekipi i Kosovës mori pjesë në Olimpiadën Ndërkombëtare të Matematikës, e cila këtë vit u mbajt në Santa Marta të Kolumbisë. Kosova u rendit e 79-ta në mesin e 97 shteteve pjesëmarrëse. Vendi i 79-të u nda bashkë me Luksemburgun dhe Pakistanin. Olimpiada Ndërkombëtare e Matematikës organizohet që nga viti 1959 dhe konsiderohet si gara më e famshme dhe më e vështirë për nxënësit e shkollave të mesme. Ekipi fitues ishte ai i Kinës, vend i cili, me përjashtim të tri viteve, çdo herë e ka fituar vendin e parë në 16 vitet e fundit, transmeton Koha.
E dyta ishte Koreja e Jugut, kurse e treta ishte SHBA-ja.
Për Kosovën ky është rezultati më i mirë deri më sot. Në vitin e kaluar ishte ranguar në vendin e 94-t, kurse një vit më herët në vendin e 89-të. Nga gjashtë garuesit kosovarë, tre prej tyre (Petrit Avdylaj, Besart Kodraliu dhe Valdrin Sherifi) morën mirënjohje. Nxënësit e tjerë pjesëmarrës të ekipit ishin Bardh Shabani, Doruntina Sylejmani dhe Alban Kryeziu.
Ekipi i Kosovës udhëhiqet dhe shoqërohet nga dy profesorët e UP-së Ramadan Limani dhe Kajtaz Bllaca. Udhëtimi i Kosovës në Kolumbi u mbështet nga Ministritë e Arsimit, Drejtësisë, dhe Financave, Komunat e Prishtinës, Ferizajt, Istogut dhe Gjilanit, si dhe kompania Bini. Mbështetje të veçantë u dha nga Emisioni "Oxygen" i Besim Dinës në KTV.