E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova, e para

Nga Express më 18 shkurt 2011 në ora 11:19

Përfaqësuesja U-20 e Kosovës e ka fituar trofeun e turneut ndërkombëtar në hendboll, që është zhvilluar në Prishtinë të martën dhe të mërkurën, për nder të trevjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Djelmoshat kosovarë të mërkurën mbrëma në finale të turneut e kanë mposhtur përfaqësuesen e Turqisë me rezultat 30:27. Ekipi nikoqir i këtij evenimenti ishte më i mirë se turqit gjatë pjesës së parë, që u përmbyll me rezultat 18:10.

Mirëpo, mysafirët u këndellën në pjesën e dytë, andaj kah fundi loja u bë shumë dramatike. Megjithatë, në fund Kosova ia doli të shënojë fitore me epërsi të ngushtë prej tri golash.

Në këtë mënyrë, përfaqësuesja turke u desh të pajtohet me vendin e dytë, derisa pozitën e tretë e ka zënë reprezentacioni i Maqedonisë, i cili ka triumfuar në duel me Kombëtaren e Bullgarisë.

Epiteti i lojtarit më të mirë të turneut i ka takuar kosovarit Valon Dedaj, i cili në finale i ka realizuar 14 gola. Këtë turne e ka organizuar Federata e Hendbollit e Kosovës.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›