E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plaçkitet me revole në gojë

Sulmuesi i Palermos, Abel Hernandez është plaçkitur të mërkurën, derisa po kthehej në shtëpi nga stërvitja. 20 vjeçarit iu fut revolja në gojë dhe u desh t’i dorëzonte gjësendet e çmueshme që kishte me vete së bashku me ato të një shoqërueseje të tij. Pavarësisht ngjarjes së rëndë, ai thotë se nuk do të largohet nga klubi. Nga Express më 18 shkurt 2011 në ora 11:16

Ngjarje e rëndë për futbollistin e Palermos, Abel Hernandez. Sulmuesi uruguaian i skuadrës siciliane është plaçkitur të mërkurën pasdite. Vetura e tij BMW 320 është ndalur pak pas përfundimit të seancës stërvitore të ekipit.

Një i ri në të 20-at, i armatosur me revole e kishte ndalur atë me motoçikletë, duke i kërkuar gjërat e çmuara që kishte me vete, përfshirë kuletën, një qafore dhe orën. Sulmuesi ishte i shoqëruar nga një femër, së cilës ia morën vathët.

Plaçkitësi u largua menjëherë, ndërsa Hernandez i tmerruar nga ngjarja ka njoftuar policinë.

“Ai ishte duke u kthyer në shtëpi pas stërvitjes. Një motoçikletë ishte afër tij duke i lënë përshtypjen se e kishte goditur. Abel doli nga vetura për të parë se çka ndodhi dhe derisa po kthehej prapa, u bllokua nga plaçkitësi i cili ia drejtoi revolen në gojë. Futbollisti ishte shumë i frikësuar, por tani ndihet më i qetë dhe është me familjen e tij”, tha Vincenzo D’Ippolito, menaxheri i Hernandezit.

Ky nuk është rasti i parë që një futbollist i Palermos është cak i plaçkitësve. Më 2007, shtëpia e kapitenit Fabrizio Miccoli u plaçkit, derisa ai ishte duke zhvilluar një ndeshje. Sulmuesi Edinson Cavani dhe mesfushori Nicolas Bertolo (që tani nuk janë pjesë e Palermos) ishin plaçkitur së bashku në një veturë në mënyrë të ngjashme me Hernandezin.

“Sulmi ndaj Hernandezit është një episod i trishtueshëm mbi të gjitha për qytetin e Palermos. Futbolli, në raste të këtilla, nuk vlen asgjë”, tha presidenti i Palermos, Maurizio Zamparini.

Ndërsa vetë Hernandez tani ndihet më mirë. “Për fat të mirë familjarët e mi janë këtu në Palermo. Prania e tyre është shumë e rëndësishme në këto momente. I falënderohem edhe klubit që menjëherë më ka ngushëlluar duke ofruar përkrahje, shokët e mi dhe bashkëlojtarët e ekipit”, tha Hernandez i cili në Palermo u transferua në vitin 2009 nga klubi uruguaian Penarol.

Në mesin e bashkëlojtarëve më të brengosur ishte Pastore.

“I falënderohem sepse menjëherë ka ardhur te shtëpia ime. Goian, Cassani, Munoz, Miccoli e gjithë të tjerët më kanë telefonuar menjëherë dhe janë shumë të rëndësishëm për mua”, shtoi Hernandez i cili ka sqaruar se nuk dëshiron të largohet nga Palermo. “Ky është vetëm një episod i keq. Tani dua të kthehem në fushë dhe nuk mendoj për asgjë tjetër, e as të largohem nga klubi. Dua ta lë pas vetes këtë ngjarje të rëndë”, përfundoi ai.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›