E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosova e pas luftës, nga minat humbën jetën 114 veta, 448 u plagosën

PRISHTINË- Në Kosovë, si pasojë e minave dhe mjeteve të tjera të pashpërthyera, që pas luftës kanë humbur jetën 114 veta dhe 448 të tjerë kanë marrë lëndime trupore fizike.

Shifrat u njoftuan sot nga Ministria e Forcës së Sigurisë të Kosovës, sipas së cilës gjatë këtij viti Kompania e Çminimit ka bërë pastrimin e mbi 420 mijë metrave katror sipërfaqe të fushave të minuara dhe ka gjetur mbi 990 mina, kasetë bomba dhe mjete të tjera, sidomos në rajonin e Prizrenit, Fushë Kosovës, Gjakovës, Ferizajt, Suharekës, Dragashit dhe Shtimes, ku kanë hulumtuar në fushat e rrezikshme me mjete të pashpërthyera.

Ky aksion ka përfunduar për këtë vit, për shkak të fillimit të sezonin dimëror, për të vazhduar me fillimin e muajit mars, 2012.

Pjesëtarët e Kompanisë së Çminimit të Regjimentit të Mbrojtjes Civile të FSK-së, pas përfundimit të sezonit veror në terren, nga fundi i muajit nëntor kanë filluar ligjërimin në shkolla fillore dhe të mesme, për ndërgjegjësimin e nxënësve për rrezikun nga minat dhe mjetet e tjera të pashpërthyera.

Gjatë këtij viti, Kompania e Çminimit e FSK-së, ka qenë e angazhuar edhe në eliminimin e mjeteve eksplozive të pashpërthyera (EOD). Ekipet janë në detyrë 24 orë në ditë, në përgjigje të thirrjeve të institucioneve dhe individëve, në raste të lajmërimit për gjetje të mjeteve eksplozive të pashpërthyera.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›