E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova, e përkushtuar për themelimin e partneritetit strategjik me SHBA-në

PRISHTINË-Kongresistët amerikanë, Robert Aderholf, Bob McEwen dhe Trent Walters, vlerësuan progresin që po arrihet në Kosovë, duke shprehur përkrahjen amerikane për fuqizimin e mëtejshëm të shtetësisë së Kosovës. 

Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, priti sot në takim kongresistët gjatë qëndrimit të tyre në Kosovë, ku morën pjesë në ceremoninë e Lutjeve të Mëngjesit në Prishtinë. Ministri Hoxhaj, sipas zyrës së tij, ka shprehur mirënjohjen e popullit të Kosovës për përkrahjen që SHBA kanë dhënë dhe po vazhdojnë të japin për konsolidimin dhe fuqizimin e gjithëmbarshëm të shtetësisë së Kosovës. 

Hoxhaj i njoftoi kongresistët amerikanë për progresin që po arrihet në vazhdimësi në Republikën e Kosovës, ku theksoi forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar. Bashkëbiseduesit diskutuan gjithashtu dhe për forcimin e bashkëpunimit bilateral ndërmjet dy vendeve. Ata biseduan gjithahshtu edhe për avancimin e proceseve integruese euroatlantike të Kosovës, si dhe për proceset e anëtarësimit të saj në nismat rajonale dhe organizatat ndërkombëtare. 

Në këtë kontekst, Hoxhaj theksoi përkushtimin e Republikës së Kosovës për forcimin e partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
(a.k/ata/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›