E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova edhe një dekadë nën mbikëqyrje

Mbikëqyrja e shumë proceseve në vendin tonë do të vazhdojë për edhe një dekadë, pakoja e Ahtissarit nuk është implementuar në tërësi, por vetëm në mënyrë substanciale dhe se EULEX-i jo edhe dy vite, por edhe katër i duhet të qëndrojë në Kosovë, në mënyrë që të konsolidojë institucionet e vendit tonë.

Kështu thotë Labinot Greiçevci, drejtori i Institutit ‘RIDEA’ në një intervistë për Kosovapress, e që sipas tij institucionet e rendit dhe ligjit në Kosovë nuk janë në një nivel të zhvillimit, që do të mund të kryenin funksionet e tyre në mënyrë efikase dhe efektive.

Greiçevci thotë se në aspektin formal, mbikëqyrja e pavarësisë ka përfunduar, por jo edhe mbikëqyrja e proceseve të tjera.

“Në aspektin formal mbikëqyrja e pavarësisë ka përfunduar, por mbikëqyrja e proceseve politike, ekonomike, sociale dhe të ngjashme në Kosovë do të vazhdojë edhe për një periudhë të caktuar kohore, ndoshta mbase edhe për dekadën vijuese do të vazhdojë kjo mbikëqyrje. Por, kjo mbikëqyrje dhe ky monitorim, do të ketë aktorë të tjerë, dhe në këtë rast si aktor do të jetë Bashkimi Evropianë, respektivisht Komisionin Evropian që do të mbikëqyrë këto procese në Kosovë, deri në momentin që Kosova do të bëhet anëtare e plotë e Bashkimit Evropian”, thotë ai.

Sa i përket pakos së Ahtisarit, Greiçevci thotë se ajo nuk është implementuar në tërësi. Ai mendon se vitin e ardhshëm do të arrihet të implementohet edhe në atë pjesë.

“Ne e dimë të gjithë se në veriun e Kosovës pakoja e Ahtissarit nuk është implementuar dhe deri në atë momentin që nuk implementohet në pjesën veriore të Kosovë, nuk konsideroj që duhet të jetë diçka e mbyllur si proces, implementimi i pakos së Ahtissarit. Por, mbase mund të shpresojmë se viti i ardhshëm ta gjejë të implementuar pakon e tij edhe në pjesën veriore të Kosovës”, thotë ai.

Por ndryshe mendon për EULEX-in. Thotë se prania e tij është më se e nevojshme dhe jo vetëm edhe për dy vite, por edhe më shumë.

Ai mendon se pa EULEX-in, institucionet e rendit dhe ligjit në Kosovë nuk mund të jenë efektive.

“Prania e EULEX-it është e mirëseardhur, kjo kur kemi parasysh faktin se institucionet e rendit dhe ligjit në Kosovë nuk janë në një nivel të zhvillimit, që do të mund të kryenin funksionet e tyre në mënyrë efikase dhe efektive, dhe unë besoj se EULEX-i mund të ndihmojë në këtë aspekt, pra në konsolidimin e mëtejshëm të institucioneve që ndërlidhen me sundimin e ligjit dhe besojë se dy vite apo bese edhe tre, apo katër vite, për EULEX-in do të jenë të mjaftueshme që të arrihet një stad i konsolidimit të mëtejshëm të këtyre institucioneve, që normalisht që edhe pas 3 apo 4 vitesh këto institucione nuk do të jenë kompatibile me institucionet e vendeve të ndryshe të Bashkimit Evropian, por të paktën do të kenë një stad më të zhvilluar brenda kësaj periudhe kohore”, thotë ai.

Greiçevci e arsyeton festën që është bërë për përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë, ngase sipas tij ka përfunduar mbikëqyrja e pavarësisë, por jo edhe proceseve të tjera.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›