E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rexhepi: Me Beogradin duhet të diskutohet në nivele politike

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Bajram Rexhepi ka deklaruar se është e domosdoshme të diskutohet në nivele politike me Beogradin, pasi që përfaqësuesit e komunave veriore nuk kanë legjitimitet. Sipas tij, lëvizja e lirë në veri të Mitrovicës është shpresë për stabilitet në këtë pjesë, ndërsa për AAK-në, qeveria është e hapur.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Bajram Rexhepi në një intervistë për KosovaPress flet për domosdoshmërinë e dialogut politik.

“Si shtet fqinje ne e kemi obligim që të realizojmë disa standarde evropiane, të bashkë fqinjësisë si dy shtet të pavarura dhe sovrane, natyrisht që në pjesën veriore ende ka probleme dhe në rend të parë siguria, sundimi i ligjit dhe përfaqësuesit që janë në komuna nuk kanë legalitet, prandaj duhet që me përfaqësuesit legalë të tyre. Natyrisht që kjo është punë e brendshme e Institucioneve të Kosovës, që të kemi përmirësim dhe perspektiv të atyre qytetarëve drejt integrimit si qytetarë të Kosovës. Nga njëherë është e domosdoshme të diskutohet edhe në nivele politike. Unë nuk jam njeriu kompetent që tash të flas, se si do të duket apo çka do të jen këto bisedime të nivelit politik” ka thënë Rexhepi.

Sipas ministrit Rexhepi, Beogradi gjithnjë ka menduar që mos del humbës në me Kosovën,duke pasur kështu si opsion ndarjen e pjesës veriore, megjithatë, ai ka siguruar se nuk do të ketë ndarje e as bisedime për çështjet e brendshme të Kosovës.

“Qëndrimet tonë janë shumë të qarta edhe të faktorit ndërkombëtare edhe të institucioneve tona që nuk do të ketë ndarje. Nëse ka pasur një rrezik për ndarje, kjo ka qenë në kohën e kryeministrit Gjingjiq. Në atë kohë ka pasur edhe shtet të cilat e kanë përkrahur këtë alternativë. Mirëpo ajo kohë ka kaluar, dhe i dini edhe dhe ato katër principet e grupit të kontaktit, ku njëri prej tyre thotë se nuk ka ndarje. Kështu i tërë faktori ndërkombëtarë dhe institucionet tona nuk e pranojnë një gjë të tillë. Ndarja si opsion më nuk është temë e bisedës”, ka thënë ai.

Ai ndalet edhe te gjendja në veriun e Kosovës, e cila sipas tij, me gjithë incident e fundit është stabile.

“Realisht nëse i heqim disa incidente sporadike kohë pas kohe, si ishte rrahja e një të riu, në përgjithësi situata është e qetë, është nën kontroll, kohë pas kohe ka ndonjë incidentet të vogël që nuk reflekton në përkeqësimin e situatës së sigurisë,pasi që atje është prezenca e KFOR-it,e EULEX-it por edhe e Policisë së Kosovës. Tani lëvizja është më e lirë dhe jep shpresë se kjo pjesë e Kosovës po shkon drejt stabilizimit”, ka thënë ministri Rexhepi.

Rexhepi, thotë se edhe pse ka mundur të bëjë më shumë, KFOR- e kryen punën në veri,kurse EULEX-i, sipas tij në mungesë të lëvizjes së lirë, nuk ka qenë në gjendje ta përmbush mandatin që ka.

“Tash flitet që ndoshta do të kërkoj KFOR-i dhe EULEX-i që të kenë një mandat shtesë sa i përket vendosjes së sigurisë dhe rendit dhe ligjit, është e mirëpritur, nuk kemi asgjë kundër. Është më rëndësi që ajo pjesë e Kosovës të jetë e qetë, të sundoj rendi dhe ligji dhe ky është interesi i Kosovës dhe qytetarëve, prandaj presim që në vazhdim të kemi angazhim shtesë të tyre”, ka thënë ai.

Ministri Rexhepi,është ndalur edhe te zërat për një koalicion të mundshëm në mes PDK-së dhe AAK-së, duke thënë se janë të hapur për çdo koalicion që forcon institucionet tona.

“Ne jeni të hapur për institucione stabile dhe sidomos në kohën kur priten bisedime të ndryshme dhe interes i shtetit është që jemi homogjen me këto qëndrime, të jemi të afërt, për momentin nuk ka diçka konkrete për një koalicion të ri. Por unë nuk mund të garantoj qëky koalicion do të vazhdoj gjithnjë.Gjithnjë ka mundësi që të ketë lëvizje, për momentin nuk ka diçka zyrtare”, ka thënë Rexhepi.

Kurse sa i përket Policisë së Kosovës, ministri Rexhepi thotë se po respektohet zinxhiri komandues dhe janë të gatshëm të ndërmarrin masa ndaj atyre që nuk respektojnë urdhrat. /Kosovapress/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›