E Diel, 1 Nëntor 2026

'Përshëndetje popull, harxhuam 200 mijë euro për qejfet tona'

Lëvizja “Vetëvendosje“ me një aksion simbolik të dielën në sheshin e Prishtinës ka vendosur fotografitë e krerëve të lartë shtetëror, për t’i treguar qytetarëve se ata në New York kanë harxhuar rreth 200 mijë euro.

Protagonistët kryesor të këtij aksioni, ishin kryeministri Hashim Thaçi, zëvendëskryeministri Behxhet Pacolli, ministri i punëve të jashtme Enver Hoxhaj, presidentja e vendit Atifeta Jahjaga, ministrja e Tregtisë Mimoza Kusari dhe ministrja e integrimeve Vlora Çitaku. Kurse, vendosja e tyre në qendër të kryeqytetit, sipas Vetëvendosjes është që populli, i cili është ne gjende të rënd t’ shohë zyrtarët e lartë shtetëror që me lehtësi po i keqpërdorin paratë e taksapaguesve të varfër.

Aktivisti i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albana Gashi, me këtë rast tha se në emër të përfaqësimit në arenën ndërkombëtare, kryeministri vet i 50-ti ia mësyu New York-ut, për t’i shpenzuar për qejf 200 mijë euro të taksapaguesve.

“Kryeministri i qejfeve tha se nuk i bëhet vonë për reagimin e opozitës dhe se kjo vizitë e tij ka qëllim madhor dhe se është një paraqitje e dinjitetshme për Kosovën. Ne i themi kryeministrit, që Kosova ka nevojë për përfaqësim të dinjitetshëm nga njerëz të dinjitetshëm, të pa korruptuar dhe kompetent, e jo nga ministra të korruptuar dhe anëtarë të tjerë të delegacionit, të cilët as vet nuk e dinin qëllimin e kësaj vizite, apo më mirë të themi këtij ekskursioni, përveç zhvatjes së mëditjeve të majme, sipas llogarive të bëra, ky ekskursion buxhetit të Kosovës, i kushtoi rreth 200 mijë euro. Këto mjete kanë mundur të jenë 5 mijë ndihma sociale në Kosovë, 4445 pensione minimale, 1176 paga minimale në Kosovë, 222 bursa për studentë të UP-së, 1110 pensione për invalidë të UÇK-së”, ka thënë Gashi.

Sipas tij, edhe kësaj radhe Qeveria tregoi se sa me lehtësi, mund t’i keqpërdor paratë e tatimpaguesve .

“Edhe në këtë rast, kryeministri dhe qeveria e tij tregoi se sa lehtë mund t’i keqpërdorë mjetet e tatimpaguesve, pa fije turpi e ndërgjegje. Pa e qarë kokën për hallin dhe mjerimin që po e pllakos çdo ditë popullin e Kosovës”, tha ajo.

Ndërsa, qytetarët shprehnin mendime të ndryshme, rreth vizitës së delegacionit të Kosovës në New York.

Disa nga ta e quanin absurde një shpenzim të tillë, në një kohë kur gjendja sociale dhe ekonomike në vend është tejet e rëndë.E për disa të tjerë, vizitat e tilla janë të domosdoshme për Kosovën, pa marrë parasysh harxhimet.

Besim Gashi thotë se një gjë e tillë nuk është dashur të ndodh, në një kohë kur populli s’ka bukë të hajë, ndërsa politikanët harxhojnë mija e qindra euro, nëpër vizita.

“Marre është për ta duhet me u qu krejt populli në këmbë i madh dhe i vogël me i hjek këta prej këtu ”, tha ai.

Edhe për Mirsad Krasniqi, kjo që ka ndodhur me vizitën në Neë York dhe me shumën e lartë të parave të shpenzuar atje është krejtësisht absurde.

“Është absurde, tërë kjo papunësi, tërë kjo krizë çfarë mbretëron këtu, ata të shkojnë e të harxhojnë qindra mijëra euro, nuk është mirë”, tha Krasniqi.

Por Muhedin Gashi mendon ndryshe. Sipas tij ky delegacion ka meritat e veta dhe vizita në New York është një sukses i madh për Kosovën.

“Hallal iu qofshin se kanë merita. Sepse ne kemi qenë një popull, që na kanë quajtur sharragji, e sot ka mbërri shqiptari me shku në Amerikë me përfaqësuar kombin shqiptar. Mos të iu mashtrojnë se këta që po e bëjnë këtë, janë kundër politikës.S’janë ato harxhime asgjë. Kur shqiptari ka arrit me shku në Amerikë, është një sukses i madh me përfaqësuar kombin shqiptar”, u shpreh Gashi.

Vetëvendosje ka bërë thirrje qytetarëve që të organizohen kundër kësaj Qeverie, motoja e së cilës është zhvatje pensionesh, ndihmash sociale, bursa studentësh e zhvatje ndërmarrjesh. /kosovapress/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›