E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova është përcaktuar për BE’në

Raportuesi i Parlamentit Europian për Serbinë, eurodeputeti slloven Jelko Kacin ka thënë në një intervistë për gazetën serbe “Danas”, se midis Serbisë dhe Bashkimit Europian, Kosova është përcaktuar për BE’në.
Në konstatimin se Serbia nuk mund të sillet ndaj Kosovës si ndaj fqinjit të saj, por si pjesë të territorit të saj, Kacin ka thënë se Kosova është përcaktuar për BE, por si duket, ka shtuar ai, Serbia dëshiron të shkojë në BE pas Kosovës.

I pyetur rreth përgatitjeve për takimin në Bërdo afër Kranjit, Kacin tha se ai përfaqëson atje Parlamentin Europian e jo ndonjë organ të Sllovenisë.

“Shumë herë është thënë se rruga drejt BE’së çon nëpërmjet marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe dihet se kush janë fqinjët e Serbisë. Do të ishte e arsyeshme dhe logjike që Serbia t'i përgjigjet ftesës. Nëse sërish thotë ‘jo’ do të dërgojë një mesazh të qartë dhe të gjitha pasojat do t'ia veshë vetes”, është shprehur Kacin për “Danas”.

Duke shpjeguar për pozicionin e tij të mëhershëm si raportues në kohën e bashkësisë shtetërore Serbia e Mali i Zi (SMZ), kacin ka thënë se edhe atëherë ai ka qenë raportues për SMZ pa Kosovën.

“Edhe tani jam raportues për Serbinë pa Kosovën. Sa herë që dikush më pyet për këtë, më parë më duhet të them se nuk jam kompetent për Kosovën, dhe kjo në Serbi gjithmonë përjetohet si provokacion. Çështja nëse Serbia duhet ta njohë Kosovën është legjitime, por Serbia ia shtron vetvetes. Dilemat Kosova apo BE nuk ekzistojnë fare”, ka thënë eurodeputeti Kacin.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›