Kosova fuqizon lobimin

Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë ka alarmuar për një aksion të Kosovës për të rritur numrin e njohjeve.
Ish-presidenti amerikan, Bill Clinton dhe nobelisti finlandez, Martti Ahtisaari kanë pranuar ftesën e autoriteteve të Prishtinës për të lobuar për njohjen e pavarësisë së Kosovës, kurse për punën e iniciativës së forcuar diplomatike, me këtë qëllim janë mbledhur 10 milionë dollarë, ka shkruar të hënën gazeta serbe “Blic”, duke u thirrur në burime të saj në Ministrinë e Jashtme në Beograd.
Sipas saj, kjo shumë është dhjetë fish më e madhe se ajo që e shfrytëzon Serbia në lobimin e saj kundër njohjeve për Kosovën.
Beogradi është duke e përcjellë me vëmendje të madhe aksionin lobues të Prishtinës, sepse rritja e numrit të njohjeve “ndikon keq në atmosferën politike në të cilën po zhvillohet procesi negociator në Bruksel”, kanë thënë burime brenda MPJ të Serbisë për të përditshmen beogradase.
Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë vlerëson se periudha deri në fund të shtatorit, deri kur do të dominojë një numër i madh i takimeve multilaterale në të cilat marrin pjesë shumica e vendeve islamike dhe afrikane që nuk e kanë njohur ende Kosovën, do të jetë kritike për Serbinë.
E përditshmja serbe “Blic” shkruan gjithashtu se diplomacia serbe me “depeshe miqësore është informuar se Pacolli ka siguruar gjysmën e parave të nevojshme, përkatësisht pesë milionë, kurse pesë milionë të tjerë janë siguruar nga diaspora shqiptare”.
Sipas kësaj të përditshmeje, zëvendëskryeministri i Kosovës, Behgjet Pacolli ka filluar një proces lobimi që përfshin Bangladeshin, Pakistanin dhe Shri Lankën, e pastaj vazhdon për në Afrikë.
Blic shkruan se Qeveria e Serbisë mbështetet kryesisht në aktivitetin e Ministrisë së saj të Jashtme dhe ministrit Vuk Jeremic, e jo në angazhimin e lobistëve ndërkombëtarë.
“Në Europë, Serbia nuk ka angazhuar asnjë agjenci për lobim, ndërkaq në SHBA e ka angazhuar një firmë që e paguan 1 milion dollar në vit”, shkruan Blic, duke u thirrur në burime të veta në Beograd.
Shefi i diplomacisë serbe, Vuk Jeremic ka thënë për Blic se para Serbisë është një periudhë e vështirë, gjatë së cilës do të shtohen presionet në shtete dhe institucione të bashkësisë ndërkombëtare që ta njohin Kosovën.
“Numri i njohjeve është një nga kriteret themelore për suksesin e imponimit të pavarësisë së Kosovës dhe për këtë arsye për ne është e rëndësishme që t’i përballojmë këto presione duke përdorur të gjitha mjetet juridike dhe diplomatike. Deri më tash, kemi arritur sukses, të cilin shumë njerëz nuk e kanë pritur”, ka thënë Jeremic.
Përgënjeshtrimi i Hoxhajt
Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj ka përgënjeshtruar të hënën mediat serbe të cilat raportuan se ish-presidenti amerikan, Bill Clinton dhe ish-presidenti finlandez, Martti Ahtisaari kanë pranuar ftesën e autoriteteve të Prishtinës për të lobuar për njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Po ashtu, Hoxhaj ka mohuar edhe ndarjen e 10 milionë eurove për lobim për njohjen e pavarësisë së Kosovës.
“Absolutisht jo. Nuk është e vërtetë. Jam shumë i kujdesshëm për të komentuar ato se çfarë thonë mediet serbe”, ka thënë shefi i diplomacisë kosovare për Radio Dukagjini.
Hoxhaj ka mohuar angazhimin zyrtar të ish-presidentit amerikan dhe nobelistit për të lobuar për njohjen e pavarësisë së Kosovës.
“Unë si ministër i Punëve të Jashtme nuk kam një informatë të tillë. Ndërsa dihet që presidenti Clinton ka qenë fuqishëm i angazhuar në mbështetje të Kosovës dhe Ahtisaari ka pasur një rol kyç në procesin e negociatave në Vjenë. Mirëpo, absolutisht nuk mund t’ju them se diçka e tillë ka ndodhur dhe ndodh”, ka thënë ai.