E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova heq taksën për çimenton shqiptare

Lajmi është bërë i ditur dje nga ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, vendim të cilin i ka thënë homologut shqiptar Edmond Panariti. Vendimi do të hyjë në fuqi nga data 1 gusht e këtij viti. “Çimentoja dhe patatja nuk do të bëhen pengesa në raportet Kosovë-Shqipëri”, ka thënë Panariti.

Kosova kishte vendosur një tarifë doganore prej 35% për hyrjen e çimentos nga Shqipëria, që praktikisht e bënte të pamundur eksportin e kësaj lënde.  Vendimi u përshëndet edhe nga Konfederata e Industrisë në Shqipëri. “Ky hap tregon më së miri për përpjekjet e përbashkëta midis dy vendeve në ndërmarrjen e politikave të reja zhvillimore ekonomike dhe lehtësimin e kushteve për të zhvilluar biznesin mes dy vendeve, që synon unifikimin në një treg të përbashkët shqiptar.  Ky vendim, i ndërmarrë nga qeveria kosovare do të nxisë konkurrencën e lirë të biznesit në këtë sektor, i cili zë 40% të tregut të çimentos në vendin fqinj", tha kreu i Konfindustrisë, Ing. Hajredin Fratari.

Shqipëria eksporton rreth 3 mijë ton çimento në ditë drejt Kosovës, duke mbuluar 40% të tregut. Pjesa tjetër mbulohet nga prodhimi vendas me 40 për qind dhe afro 20 për qind importohet nga Maqedonia.  Fabrikat shqiptare të çimentos kanë eksportuar gjatë vitit 2011 rreth 12 milionë euro, ndërsa gjatë muajve të parë të këtij viti, para se të vendosej tarifa penalizuese, kjo shifër ishte rreth 10 milionë euro. /Start/

                                                                                             2012-07-26 12:20
   

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›